Financimet ruse, Berisha akuza Ramës: Mbylli dosjen për të marrë peng Bashën, por kurrë PD-në

Kreu i Partisë Demokratike, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ishte ai që i mbylli hetimet për Lulzim Bashën në lidhje me çështjen e financimit, me qëllimin për ta “marrë peng” atë.
Gjatë një takimi me banorët e degës 9 në Tiranë, Berisha tha se Rama i është rikthyer çështjes së financimeve, por se nuk do të mundet “të marrë peng PD-në”.
“Ka 1 javë që merret me financimet ruse. PD-ja i them pasardhësit të lidhur me dosjen në ‘MitroKinë’, është partia që bëri pluhur interesat ruse në Shqipëri, është partia e parë që kërkoi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, e anëtarësoi. Është partia e parë që e shndërroi Shqipërinë në një prapavijë të fuqishme të veprimeve kundër Sllobodan Millosheviçit. Është partia e parë e cila dogji çdo interes rus në këtë vend. Po kanë dalë dokumente se një njeri, ish-kryetari i partisë, thuhet se është financuar. Por kush e mbrojti atë, njeriu që ja mbylli dosjen e financimit rus, duke pasur deklaruar, duke i thënë në vitin 2018, Lulzim i ke futur thellë duart në xhepa rusë. Por dosjen e mbylli për ta marrë peng Lulzimin. Lulzimin mund ta marrë peng dhe mund të bëjë ç’të dojë”, tha Berisha.
Kryeministri Edi Rama nuk i ka kursyer akuzat në drejtim të Berishës dhe kreut të PL-së, Ilir Meta, duke e konsideruar edhe marrëveshjen e lidhur mes tyre si “aleancë rublash”. Sipas Ramës, ata janë “në shërbim të parave ruse”, me qëllim krijimin e një konflikti social për të ndryshuar pushtetin me dhunë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




