Flamurtari, fitore e mundimshme në derbi

E diela ka ofruar një numër transmetimesh sportive në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, që pasi ka sjellë drejtpërdrejt garën e radhës në Botërorin e Formulës 1, ka vijuar më pas me futbollin. Dhe, krahas ndeshjes që uli në mbrëmje siparin e javës së 27-të të Kategorisë Superiore, asaj midis Tiranës dhe Erzenit, më herët, duke nisur nga ora 15:00, në kanalin sportiv, RTSH Sport, ka ardhur i ashtuquajturi derbi i Vlorës, pasi Oriku ka pritur në fushën e vet Flamurtarin.
Kjo ndeshje ishte e vlefshme për javën e 21-të të Kategorisë së Parë, e cila i ka luajtur të premten dhe të shtunën shumicën e ndeshjeve dhe mbyllet të hënën me duelin Dinamo-Korabi. Pjesa e parë e sfidës është mbyllur me rrjeta të paprekura, ashtu sikundër ka vijuar edhe gjysmëora e parë e së dytës. Dhe, siç ndodh në të tilla përballje ku asnjëra skuadër nuk arrin ta thyejë qëndresën e tjetrës, është dashur një veprim akrobatik i Pedro Agustos, i cili godet brenda zonës dhe përshëndet rrjetën, duke e kaluar Flamurtarin në epërsi 15 minuta pata fundit të kohës së rregullt.
Përtej çerekorës së mbetur të kohës së rregullt dhe plot 13 minutave të tjera shtesë, që kanë parë Orikun të përpiqet për të gjetur golin e barazimit, Flamurtari e mbron fitoren dhe i jep trajnerit të ri, Diego Longo, një nisje të mbarë në stolin vlonjat, ndërsa e mban skuadrën kuqezi në treshen e kreut. Skënderbeu kryeson renditjen në kuotën e 41 pikëve, e ndjekur nga Flamurtari me 38 dhe Dinamo me 37, por kryeqytetasit kanë luajtur një ndeshje më pak.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




