Fluks lëvizjesh çdo ditë të javës/ Mbi 30 mijë shtetas kalojnë Morinin drejt Shqipërisë në 24 orët e fundit

Edhe pse ndodhemi gati në fund të sezonit veror lëvizjet në doganën e Morinit vazhdojnë të jenë të larta.
Vetëm fundjavën që lamë pas mbi 70 mijë shtetas kanë hyrë në Shqipëri, ndërsa në 24 orët e fundit sipas të dhënave nga drejtoria e kufirit mbi 30 mijë shtetas kanë hyrë në Shqipëri me qëllim kryesisht pushimet në bregdet.
Ndërkaq edhe parashikimet e meteorologëve për përkeqësim të kushteve të motit, vranësira, ulje temperaturash apo reshjesh shiu nuk kanë ndikuar për ndryshimin e planeve për shqiptarët e Kosovës.
Pavarësisht fluksit të lartë në doganën e Morinit, nuk krijohen radhë pritjeje për shkak të lëvizjeve të lira pa kontrolle bazuar në marrëveshjen për sezonin veror midis dy qeverive, Shqipëri Kosovë.
Por e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Rrugën e Kombit pasi kryesisht në mëngjes dhe pasdite krijohet trafik, sidomos te ura e Drinit të Zi në Kukës, etj, gjithsesi edhe kjo situatë nuk i pengon shqiptarët e Kosovës.
Në doganën e Morinit po proçedohet me kapacitet të plotë, me 12 sportele, 6 në hyrje dhe 6 në dalje.
Gazetare: B. Gërmizi
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




