Fluksi i emigrantëve të jashtëligjshëm, Ministri britanik: Qindra shqiptarë janë kthyer në bazë të marrëveshjes mes 2 vendeve

Politikë | 3 vite më parë

Qindra shqiptarë të cilët emigruan me varka të vogla drejt Mbretërisë së Bashkuar, janë kthyer sërish në vendin tonë. Kështu ka deklaruar Ministri britanik i Emigracionit, Robert Jenrick.

Në një intervistë për Sky News, ai  bëri me dije se janë më shumë se 12 mijë shqiptarë që kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa theksoi se kthimi i tyre në Shqipëri i atribuohet  marrëveshjes së ashtuquajtur “standardi i artë”, e arritur mes qeverive të të dy vendeve.

Sipas tij procedura e mëparshme e ashtuquajtur e “pretendimeve të rreme të minutës së fundit” kishte penguar dëbimet, ndërkohë që pranoi se shumë të tjerë ishin aktualisht në hotele ose ishin arratisur. 

Ministri britanik i migracionit pohoi nga ana tjetër se të kthyerit me dëbim përfshinin ata që nuk kishin fituar të drejtën e azilit, shkelësit e kufirit, por kishte edhe kthime vullnetare.

Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij, Rishi Sunak, ranë dakord në dhjetor për të rritur bashkëpunimin në tre fusha, njëra prej të cilave mbulonte luftën kundër krimit të organizuar dhe emigracionit të paligjshëm.

Marrëveshja përfshinte ngritjen e një task force të përbashkët për “menaxhimin e migrimit të paligjshëm të shtetasve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar”.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme