FOTOT/ Zgjedhjet e pjesshme vendore në Kukës, policia merr në ruajtje të 74 qendrat e votimit

Policia e Shtetit bëri të ditur të shtunën në mbrëmje se në kuadër të masave të marra nga Drejtoria Vendore e Policisë Kukës dhe Komisariati i Policisë së këtij qyteti, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, ka përfunduar marrja në ruajtje nga punonjësit e Policisë, të 74 qendrave të votimit (QV) dhe e KZAZ-së.
“Shërbimet e Policisë janë të angazhuara maksimalisht për të garantuar një proces zgjedhor sa më të qetë.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Masat e policisë Kukës
Edhe Drejtoria Vendore e Policisë Kukës publikoi paraditen e së shtunës masat për zgjedhjet e pjesshme vendore të datës 24 shtator, për kryetarin e Bashkisë së Kukësit.
Zëvëndësdrejtori për Rendin dhe Sigurinë Publike, Kryekomisar Kujtim Gjoka, në një deklarim për mediat tha se: “I gjithë personeli policor i angazhuar me detyra gjatë procesit zgjedhor është i trajnuar për detyrat që ka dhe kryen Policia e Shtetit gjatë procesit zgjedhor. Është miratuar nga KQZ-ja, lista e punonjësve të Policisë që do të angazhohen në procesin zgjedhor. Në këtë proces zgjedhor janë të angazhuar 99 punonjës policie që do të sigurojnë materialet zgjedhore në 74 qendrat e votimit dhe në vendnumërimin e votave prane KZAZ-së nr. 11 Kukës”.
Sipas tij, për garantimin e rendit dhe qetësisë publike, në vazhdimësinë e shërbimeve që kryen Policia e Shtetit çdo ditë, janë anagazhuar dhe 78 punonjës të tjerë policie.
Policia u bëri thirrje qytetarëve dhe subjekteve të përfshira në këtë proces, që të respektojnë plotësisht të gjitha detyrimet ligjore me të cilat i ngarkon Kodi Zgjedhor dhe ligjet e tjera.
“Policia e Shtetit garanton qytetarët se ka ndërmarrë të gjitha masat, që e drejta e tyre kushtetuese për zgjedhjen e drejtuesit të pushtetit lokal, të ushtrohet e lirë, e qetë, e pacenuar dhe e paintimiduar prej askujt”, tha zëvëndësdrejtori për Rendin dhe Sigurinë Publike, Kryekomisar, Kujtim Gjoka.


/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



