Francë/ Sindikatat thërrasin protesta të reja: Qeveria të heqë ndryshimet e pensioneve

Botë | 4 vite më parë

Më shumë se 1 milion njerëz morën pjesë në protestat në Paris dhe qytete të tjera franceze për të kërkuar që qeveria të heqë ndryshimet e pensioneve. Shumica e francezëve kundërshtojnë projektligjin e presidentit Emmanuel Macron për të rritur moshën e pensionit nga 62 në 64 vjeç, për të cilin ai thotë se është i nevojshëm për të mbajtur të financuara arkat e pensionit, raporton Associated Press.

Protestat u mbajtën një ditë pasi presidenti Macron zemëroi më tej kritikët e tij duke qëndruar i vendosur në projektligjin e pensionit që qeveria e tij solli në parlament pa votim.

Grevat ndërprenë udhëtimet ndërsa protestuesit bllokuan stacionet e trenave, aeroportin Charles de Gaulle në Paris, rafineritë dhe portet.

Policia, e goditur nga objekte dhe fishekzjarre, sulmoi disa herë dhe përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit. 

Protestat mbarëkombëtare të së enjtes (23 mars) ishin demonstratat e nënta të organizuara nga sindikata që nga janari, kur kundërshtarët ende shpresonin se parlamenti do të refuzonte masën e Macron për të rritur moshën e daljes në pension.

Ndërkohë, Macron refuzoi të tërhiqet nga vendimi duke argumentuar se ligji i ri për rritjen e moshës së pensionit është i nevojshëm për të mbajtur të financuara arkat e pensionit. 

Kundërshtarët propozuan zgjidhje të tjera, duke përfshirë taksa më të larta për të pasurit ose kompanitë, të cilat Macron thotë se do të dëmtonin ekonominë. Ai këmbënguli se projektligji i qeverisë për rritjen e moshës së pensionit duhet të zbatohet deri në fund të vitit.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme