Gazment Bardhi: Berisha sulmoi SHBA-në për t’u solidarizuar me Vangjush Dakon dhe Tom Doshin

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar për deklaratën e Komisionit të Rithemelimit të PD-së, ku i bënte thirrje ambasadores së SHBA-së në vendin tonë, Yuri Kim të tërhiqte reagimin e saj bërë mëngjesin e kësaj të hëne.
Bardhi thotë se 2 nga 3 palët në këto zgjedhje, PS dhe “Shtëpia e Ilirit” kanë mbrapa njerëz të shpallur “non grata” nga SHBA për korrupsion.
“Vangjush Dako është shefi politik dhe drejtuesi i fushatës së kandidates së PS në Durrës. Tom Doshi, është shefi politik dhe drejtues i fushatës së kandidates së PS në Shkodër. Sali Berisha është shefi politik i 6 kandidatëve të tjerë të Shtëpisë së Ilir Metës. Sulmi i sotëm ndaj SHBA është solidarizim me non gratat e Edi Ramës. Hall i përbashkët, sjellje e përbashkët.”, thuhet në reagimin e Bardhit.
Çfarë ndodhi sot
Në një reagim në Twitter, ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim kishte një pyetje për kandidatët në këto zgjedhje që sipas saj mbështeten nga persona “non grata”.
Edhe pse duke mos përmendura emra, mesazhi i Yuri Kim ishte për kandidatët që mbështeten nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe që garojnë në koalicionin “Shtëpia e Lirisë”.
“Pyetje për kandidatët: Nëse sponsori juaj kryesor është dikush i caktuar nga SHBA për korrupsion të konsiderueshëm, çfarë saktësisht po u premtoni votuesve? Kush do t’ju zotërojë nëse fitoni dhe çfarë do t’i detyroheni atyre? Çfarë duhet të presin shqiptarët? Çfarë duhet të presin SHBA?”, reagoi ambasadorja Yuri Kim.
Pas kësaj deklarate nuk mungoni as reagimi i Komisionit të Rithemelimit të PD-së, i cili drejtohet nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Komisioni i Rithemelimit u shpreh se ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim shkeli ligjin dhe Kushtetutën e Shqipërisë, duke bërë thirrje zgjedhësve se për kë duhet të votojnë.
Komisioni i kërkon Ambasadores Yuri Kim tërheqjen e kësaj deklarate, pasi tij, është në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë dhe Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.
Reagimi i Komisionit të Rithemelimit:
Ndërkohë që fushata për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 Marsit ka nisur zyrtarisht, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim ka bërë sot në Tëitter ndërhyrjen e saj të radhës, në shkelje flagrante të ligjeve dhe Kushtetutës se vendit, në mbështetje narkoqeverisë së Tiranës. Ajo, defacto, ju ka bërë thirrje zgjedhësve se për kë duhet të votojnë.
Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike, denoncon deklarata të tilla politike nga përfaqësues të huaj gjatë fushatave elektorale. Komisioni I konsideron ato si ndërhyrje të palejueshme, të papranueshme, e të njëanshme në procesin zgjedhor, në rastin konkret në favor të qeverisë më të korruptuar të Europes.
Mbi të gjitha, kjo deklaratë është në kundërshtim të plotë me Nenin 41 të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike dhe Protokollet Opsionale, nënshkruar në vitin 1961 në të cilën edhe Shqipëria është palë. Neni 41 pika 1 thotë shprehimisht: “Pa paragjykuar privilegjet dhe imunitetet e tyre, është detyrë e çdo personi që gëzon këto privilegje dhe imunitete të respektojë ligjet dhe rregullat e shtetit pritës. Ata gjithashtu nuk kanë të drejtë të përzien në çështjet e brendshme të atij Shteti.”
Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike thekson se shqiptarët hedhin poshtë luftën me lobingje korruptive dhe pa fakte kundër korrupsionit si një praktikë që ndihmon korrupsionin.
Komisioni i kërkon Ambasadores Yuri Kim tërheqjen e kësaj deklarate e cila është në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë dhe Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, për respektimin e të cilit, partitë politike në Shqipëri, janë të angazhuara.
Komisioni dënon çdo ndërhyrje në procesin zgjedhor, për më tepër kur qëllimi final është mbështetja për qeverinë më të korruptuar të Europës, që çdo ditë largon shqiptarët nga vendi i tyre, dhe sponsorizimi i një opozite fasade misioni i vetëm i se cilës është vrasja e shpresës duke bërë pazare me qeverinë.
Së fundi, Komisioni deklaron se sponsorizuesi dhe llogarimarrësi i vetëm i kandidatëve të “Shtëpisë së Lirisë” është populli opozitar që refuzon të pranojë se alternativa e vetme ndaj Edi Rames është bari që ofron znj. Kim.
Është ky popull që i përzgjodhi këta kandidatë dhe po ai do t’i votojë. Nesër, kur ata të jenë fitues, detyrimi i vetëm I tyre nuk do jete as ndaj liderëve politike dhe aq me pak ndaj diplomatëve në shërbimin e Edi Ramës, por vetëm ndaj qytetarëve shqiptarë!
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




