“Gërdeci”/ GJKKO merr në gjykim ish-ministrin Mediu, akuzohet për shpërdorim detyre në bashkëpunim

Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit ka vendosur të kalojë për gjykim ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu për tragjedinë e Gërdecit.
Në vendimin e saj, Gjykata ka pranuar kërkesën e SPAK duke kaluar për gjykim të posaçëm ndaj ish-ministrit, duke proceduar me gjykim të shkurtuar.
“…gjykata, vendos pranimin e kërkesës së të të pandehurit Fatmir Mediu për të proceduar në këtë gjykim me procedurën e gjykimit të posaçëm, atë të shkurtuar, pasi çmoi se procesi i të provuarit, në kuptim të fajësisë, pafajësisë, ndryshimit të cilësimit ligjor, konsiderohet i ezauruar pa pasur nevojë për marrjen e provave të reja, nuk ka shkaqe të pavlefshmërisë absolute, apo papërdorshmërisë së provave“, thuhet në vendimin e gjykatës të marrë ditën e sotme.
Nga ana tjetër, avokatët që përfaqësonin ish-ministrin Mediu në mungesë të tij kërkuan pushimin e çështjes, por më pas gjykata pranoi vetëm gjykimin e shkurtuar.
“Pasi gjykata pyeti mbrojtësit e zgjedhur të të pandehurit Fatmir Mediu nëse i qëndrojnë kërkesës për gjykim të shkurtuar, ata e rikonfirmuan qëndrimin e tyre”, thuhet më tej në gjykatë.
Ish-ministri i Mbrojtjes Famtir Mediu akuzohet për kryerjen e veprës penale“Shpërdorimi i detyrës„ në bashkëpunim dhe “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, me subjekt ushtarak-kuadër komandues, parashikuar nga neni 70/2 e 2 i Kodit Penal Ushtarak dhe 25 i Kodit Penal.
Ndërkohë seanca e radhës ndaj Mediut është caktuar të mbahet më 24 prill.
Si u rihap çështja e Gërdecit ndaj Fatmir Mediut
Çështja ndaj Mediut për tragjedinë e Gërdecit u rikthye në vëmendje kur familja e 7-vjeçarit Durda që humbi jetën në këtë tragjedi, depozitoi në SPAK kërkesën për ndjekjen penale të Mediut. Ndërsa më 10 janar të këtij viti ai u mor zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme.
Në atë ditë ai deklaroi se “i është prezantuar i njëjti fashikull, me të njëjtin prokuror, për njëjtën akuzë pa shtuar asnjë dokument shtesë nga viti 2009”.
Dërgimi i Mediut në SPAK erdhi pasi Gjykata e Lartë depozitoi më 28 tetor të vitit 2021 në Prokurorinë e Posaçme dosjen për ish-ministrin e Mbrojtjes.
Gjithashtu, rruga e hetimeve ndaj ish-ministrit u rihap pasi Gjykata e Posaçme e Apelit, bëri të ditur se e Mediu nuk është gjykuar më parë, për shkak të imunitetit të deputetit edhe pse afatet e parashkrimit janë respektuar, pasi Mediu është marrë i pandehur që në vitin 2009.
Imuniteti parlamentar do të ishte shkaku që Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në vitin 2009 të vendoste pushimin e çështjes penale ndaj Mediut.
Por tashmë çështja i ka kaluar Gjykatës së Posçame Antikorrupsion, ku do të gjykojë ish-ministrin për shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim.
Tragjedia e Gërdecit
Tragjedia e Gërdecit ndodhi më 15 mars të vitit 2008, gjatë demontimit të armëve dhe çmontimit të municioneve luftarake të shoqërisë “Albademil” sh.p.k.
Nga shpërthimi mbetën të vrarë 26 persona, përfshirë burra, gra e fëmijë, ndërsa u plagosën qindra të tjerë. Si pasojë e shpërthimit u shkatërruan edhe qindra shtëpi.
Tragjedia e Gërdecit/ GJKKO… by Rtsh Faqe
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




