Gjendet helikopteri i humbur i Korpusit të Marinës që transportonte 5 trupa nga Nevada në Kaliforni

Një helikopter i Korpusit të Marinës që ishte zhdukur me pesë trupa në bord u gjet të mërkurën në mëngjes në një zonë malore jashtë San Diegos.
Avioni u lokalizua pak pas orës 9 të mëngjesit nga autoritetet civile pranë komunitetit malor të Pine Valley, rreth 72 kilometra nga San Diego, por ekuipazhet e shpëtimit thanë se kushtet me borë po e bënin hyrjen sfiduese në terren.
Marinsat ishin në helikopterin e llojit CH-53E “Super Stallion” i cili u ngrit nga Baza Ajrore ushtarake “Creech”, në veriperëndim të Las Vegasit, ku po merrnin pjesë në një stërvitje dhe po ktheheshin në bazën ajrore të marinsave “Miramar” në San Diego, njoftuan zyrtarët e mbrojtjes.
Stuhia e shoqëruar nga reshje të dendura shiu goditi në këtë zonë përgjatë natës.
Zyra e sherifit të qarkut të San Diegos u njoftua në orën 1 pas mesnatës se helikopteri ishte vonuar në bazë dhe se për herë të fundit ishte parë në Luginën Pine, një rajon malor pranë Pyllit Nacional në Kllivlend, rreth 50 kilometra në lindje të qytetit të San Diegos, sipas zotit Mattheë Carpenter nga ky departament.
Ushtria po bashkërendon përpjekjet e kërkim-shpëtimit, sipas Korpusit të Marinsave. Nuk u dhanë detaje të tjera.
Helikopteri CH-53E “Super Stallion” është helikopteri më i madh dhe më i rëndë i ushtrisë. Ai mund të transportojë ushtarë dhe pajisje në terren dhe mot të vështirë, përfshirë gjatë natës, sipas informacioneve të Korpusit të Marinsave.
Dy helikopterë të tillë ishin përdorur për shpëtimin e stafit amerikan dhe aleatëve nga ambasada amerikane gjatë luftës civile në Mogadishu, Somali në vitin 1990. AP
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




