Gjyqi ndaj Belerit, dëshmojnë kancelarët e prokurorisë dhe gjykatës Vlorë: Nuk merremi me regjistrat e çështjeve

Në seancën e zhvilluar sot ndaj Fredi Belerit, ka dëshmuar Kancelari i Prokurorisë së Vlorës, Përparim Hoxha dhe Kancelarja e Gjykatës së Vlorës, Frida Gani.
Para trupës gjykuese të GJKKO, ata kanë thënë se nuk është kancelari ajo që merret me protokollin dhe regjistrat e çështjeve por kryesekretarja.
Përparim Hoxha tha se nuk ka përpiluar asnjë dokument për SPAK apo GJKKO lidhur me çështjen Beleri.
“Unë nuk kam akses as tek protokolli as tek regjistrat e çështjeve. Këtë funksion e kryen kryesekratarja e cila herë pas here ndihmohet edhe nga persona të tjerë, për shkak të volumit të punës. Nuk ka në prokurorin e Vlorës, një punonjës specifik për protokollin. Si Kancelar nuk kam përpiluar asnjë shkresë apo dokument për SPAK dhe GJKKO, për çështjen Beleri. Prokurorët e gatshëm për caktohen nga drejtuesi i prokurorisë, çdo muaj. Në rast të zgjedhjeve ka më shumë prokuror të gatshëm, për shkak të ngjarjeve”, tha ai.
Edhe kancelarja e gjykatës Vlorë, Gani tha se çështjet i dërgohen me zarf gjyqtarit nga kryesekretarja.
“Kancelari nuk merret me regjistrat ose protokollet me këto merret kryesekretaria. Dosjet sekrete nga prokuroria vijnë të mbyllura me zarf, shënohet në regjistër dhe më pas i dërgohet zarf i pahapur gjyqtarit që është i gatshëm. Për veprime të ngutshme nuk e di nëse administrata ka dalë jashtë orarit zyrtarë 08:00-16:00”, tha ajo.
Fredi Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, pasi u kap në flagrancë bashkë më bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi duke blerë vota. Beleri nuk ka mundur të marrë detyrën, pasi autoritetet gjyqësore nuk i dhanë leje për të kryer betimin. Në seancat gjyqësore, Fredi Beleri ka pretenduar se ndaj tij po bëhet padrejtësi dhe gjykata po dëmton atë dhe familjen e tij.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




