“Goldish Axe”/ Vodhën para duke hyrë në sistemet kompjuterike me karta të klonuara, në kërkim 3 rumunë

Tre shtetas rumunë janë shpallur në kërkim pasi kanë vjedhur shuma monetare duke hyrë në sistemet kompjuterike me anë të prodhimit të kartave të klonuara, kartave të vjedhura dhe duke dëmtuar ATM me mjete të forta për të ndërhyrë në sistemet e tyre në 2 institucione të ndryshme financiare.
“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të hetimeve për dokumentimin e ngjarjeve të ndodhura më datë 09.12.2023 dhe 06.01.2024, ku u tentua dhe u vodhën disa ATM të institucioneve financiare në Tiranë, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimim dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale.
Si rezultat i hetimeve intensive të kryera, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasit:
F. O., 51 vjeç, M. M., 45 vjeç, A. S., 20 vjeç, të tre shtetas Rumun dhe banues në Rumani”, thuhet në njoftim.
Pas disa hetimeve disajavore, në kuadër të operacionit policor të koduar “Goldish Axe”, Policia ka zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore 2 raste mbetur në tentativë dhe 4 vjedhje të kësaj natyre, të kryera nga këta 3 shtetas.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



