Greqi, rreth 100 tifozë kroatë përballen me akuzat për vrasje dhe të lidhur me banda kriminale

Sport | 3 vite më parë

Rreth 100 tifozë futbolli kroatë, të cilët janë të arrestuar, u paraqitën në një gjykatë të Athinës të mërkurën për t’u përballur me akuza të rënda penale që përfshijnë vrasje dhe anëtarësim në organizata kriminale.

Ata dyshohet se janë përfshirë në dhunë të egër që solli dhe vdekjen e një tifozi. Të rinjtë e prangosur, shumë prej të cilëve me këmisha të vendosura mbi kokë për të fshehur identitetin e tyre, dolën para një gjyqtari hetues një ditë pasi një tifoz grek 29-vjeçar u godit me thikë për vdekje jashtë stadiumit të AEK-ut të Athinës, duke shkaktuar anulimin e ndeshjes për kualifikim të Ligës së Kampionëve kundër Dinamo Zagrebit.

Zyrtarët thanë se gjykatësi lëshoi ​​akuzat të  përgjithshme kundër të 103 të dyshuarve, përfshirë 97 shtetas kroatë. Aktakuzat përfshinin gjithashtu edhe paditë për sulme të shumta dhe posedim dhe përdorim të paligjshëm të materialeve shpërthyese. 

Akuza e lidhur me vrasjen ka të ngjarë të hiqet për shumicën e të pandehurve ndërsa hetimi vazhdon. Videoja amatore e sulmit tregoi dhjetëra të rinj që mbanin shkopinj dhe shufra hekuri duke vrapuar pranë stadiumit, ndërsa shpërthyen flakët dhe bomba me benzinë. Dhjetë persona u plagosën dhe katër tifozë mbeten ende të shtruar në spital.

Policia greke vendosi postblloqe në autostradë dhe kontrolle shtesë kufitare për të kapur më shumë të dyshuar. Autoritetet njoftuan arrestimin e gjashtë shtetasve kroatë teksa tentonin të largoheshin nga vendi. 

Pesë nga të dyshuarit u ndaluan në portin veriperëndimor të Igumenicës teksa po përgatiteshin të hipnin në një traget me destinacion Italinë, ndërsa i gjashti u arrestua në një autobus me destinacion Shqipërinë. 

Klubi i Athinës Panathinaikos përballet me Marsejën në një ndeshje kualifikuese të Ligës së Kampionëve, e cila do të zhvillohet nën masa të rrepta sigurie në stadiumin Leoforos në qendër të kryeqytetit grek. 

Policia po përgatit një kordon rreth stadiumit dhe po vendos patrulla në kryqëzimet dhe stacionet e metrosë aty pranë. Nënkryetari i Komisionit Evropian, politikani grek Margaritis Schinas, dënoi “dhunën e tmerrshme” që ndodhi në stadiumin e AEK-ut. 

“Nuk ka vend për dhunë dhe huliganizëm në futbollin evropian”, shkroi ai në një postim në internet, duke shtuar se kishte kontaktuar me kreun e organit drejtues të futbollit evropian, presidentin e UEFA-s, Aleksander Ceferin, për të diskutuar incidentin. 

Kryeqyteti grek do të presë edhe Superkupën e UEFA-s javën e ardhshme mes Manchester Cityt dhe Sevillas.

Ministri grek i rendit publik, Giannis Oikonomou tha se policia kishte bërë “gabime tragjike” dhe kishte dështuar për të ndaluar mbështetësit kroatë që të udhëtonin, duke mos vepruar në bazë të informacioneve se përleshjet ishin të mundshme. 

Ai ka hedhur poshtë thirrjet e partive opozitare për të dhënë dorëheqjen dhe ka pezulluar shtatë oficerë policie, duke përfshirë disa në poste të larta, në pritje të një hetimi dhe riemërimit ose shkarkimit të tyre.

Jashtë Arenës Opap të AEK-ut, tifozët bënë homazhe për mbështetësin që mbeti i vrarë, i identifikuar nga anëtarët e familjes si Michalis Katsouris nga një qytet afër Athinës. Ata vendosën lule dhe qirinj në vendin ku ai vdiq nga një plagë me thikë.

AEK thotë se i ka bërë thirrje organit drejtues të futbollit evropian, UEFA, që të vendosë “dënim të menjëhershëm dhe të ashpër” ndaj Dinamos së Zagrebit, duke shprehur zhgënjimin që kualifikimi do të zhvillohet në Zagreb këtë muaj.

“Pyetja që mundon tifozët tanë është ajo që e kemi përshkruar që në fillim dhe që na mundon gjithashtu: Si ka mundësi që pas vrasjes brutale të Michalis nga një bandë kriminelësh të egër nga Kroacia, AEK Athens të hyjë në fushë dhe të luajë kundër kësaj skuadre?”- tha AEK në një deklaratë.

Qeveria kroate dhe Dinamo Zagrebit kanë dënuar ashpër sulmet në Athinë. Por klubi i Zagrebit mbrojti veprimet e tij, duke këmbëngulur se ka bashkëpunuar plotësisht me autoritetet dhe refuzoi thirrjet e AEK-ut për përjashtimin e tij nga garat evropiane. 

Në një deklaratë të përbashkët, kryebashkiakët e Athinës dhe të Zagrebit, Kostas Bakojanis dhe Tomislav Tomaseviç, bënë thirrje për qetësi.

“Athina dhe Zagrebi ruajnë lidhje miqësore dhe si kryetarë bashkie ne jemi të përkushtuar t’i forcojmë ato,”- shkruan ata. 

“Kjo dhunë e pakuptimtë nuk ka vend në stadiumet tona, në qytetet tona dhe në shoqëritë tona.”- theksohet në mesazh.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme