Guterres paralajmëron: Bota është drejt ferrit klimatik, bashkëpunoni ose vdisni

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres ka kërkuar përqëndim tek ndryshimet klimatike pasi sipas tij përbëjnë rrezik serioz ndërsa i kërkoi dy vendeve të mëdha ndotëse, Kina dhe Shtetet e Bashkuara, të punojnë së bashku për ta shmangur atë. “Jemi në luftën e jetës dhe po humbasim emetimet e gazeve serrë vazhdojnë të rriten, temperaturat globale vazhdojnë të rriten dhe planeti ynë po i afrohet me shpejtësi pikës së kthesës që do ta bëjë kaosin klimatik të pakthyeshëm. Ne jemi në një autostradë për në ferr klimatik me këmbën tonë ende në përshpejtues,”tha Guterres.
Ai shton se lufta në Ukrainë dhe konfliktet e tjera kanë pasur “ndikime dramatike” në të gjithë botën, por ne nuk mund të pranojmë që vëmendja jonë të mos përqendrohet te ndryshimet klimatike”.
Guterres tha se bota u përball me një zgjedhje të ashpër gjatë dy javëve të ardhshme të bisedimeve: ose vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim të punojnë së bashku për të bërë një “pakt historik” që do të reduktonte emetimet e gazeve serrë dhe do ta vendoste botën në një rrugë me karbon të ulët ose dështim, i cili do të sillte prishje klimatike dhe katastrofë por ne mund të nënshkruajmë një pakt solidariteti për klimën, ose një pakt kolektiv për vetëvrasje,” shtoi ai.
Guterres bën thirrje për një sistem universal të paralajmërimit të hershëm brenda pesë viteve dhe që qeveritë të tatojnë fitimet e papritura të kompanive të karburanteve fosile.
“Le t’i ridrejtojmë ato para te njerëzit që luftojnë me çmimet e ushqimit dhe energjisë, dhe te vendet që vuajnë humbje dhe dëme të shkaktuara nga kriza klimatike,” shton ai.
Më shumë se 100 krerë shtetesh dhe qeverish nga e gjithë bota u mblodhën në resortin egjiptian të Sharm El-Sheikh të hënën për dy ditë takimesh me dyer të mbyllura dhe ngjarje publike për të diskutuar krizën klimatike.
Nga e mërkura, liderët botërorë do t’ua dorëzojnë zyrtarëve dhe ministrave për pjesën tjetër të dy javëve të bisedimeve. Megjithatë, samiti premton të jetë i ngarkuar dhe i vështirë, me pak mundësi për një përparim.Konferenca vjetore e OKB-së për klimën e këtij viti, e njohur si COP27, vjen ndërsa udhëheqësit dhe ekspertët kanë ngritur alarmin në rritje se koha po mbaron për të shmangur rritjet katastrofike të temperaturës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




