Guvernatori Sejko: 69% e shqiptarëve zotërojnë një llogari bankare

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha të mërkurën se përfshirja financiare e shqiptarëve po përmirësohet ndjeshëm dhe rritja e numrit të individëve që zotërojnë një llogari bankare është një prej treguesve më domethënës.
Duke folur në hapjen e mbledhjes së nëntë të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave zoti Sejko tha se 69% e shqiptarëve në moshë madhore zotërojnë tashmë një llogari bankare.
“Objektivi ynë fillimisht ishte arritja e një niveli të përfshirjes financiare të popullsisë në masën 70%, por vlerësojmë se në periudhën afatshkurtër ky nivel do të tejkalohet, duke shënuar përafrim të ndjeshëm me vendet e Ballkanit dhe ato të Bashkimit Evropian,” tha Sejko.
“E vlerësoj të nevojshme të theksoj se angazhimi i bankave dhe jobankave duhet të jetë maksimal, në mënyrë që këto infrastruktura dhe shërbimet përkatëse të realizohen brenda afateve të përcaktuara nga Banka e Shqipërisë, gjithmonë duke ofruar siguri maksimale” tha guvernatori Sejko.
Ai u shpeh se siguria në komunikim dhe në ndërveprim është jo vetëm e nevojshme, por edhe e domosdoshme, në kushtet e komunikimit të hapur që imponon open-banking, si dhe në kuadër të rreziqeve të shtuara në sferën e sigurisë kibernetike, me të cilat po përballet Shqipëria së fundi.
Banka e Shqipërisë vlerëson se deri tani objektivat e strategjisë kombëtare të pagesave me vlerë të vogël 2018-2023 janë arritur dhe në disa raste janë tejkaluar. Konkretisht, në vitin 2021 është arritur një nivel i përdorimit të pagesave elektronike prej 12.5 pagesash për frymë, duke tejkaluar edhe objektivin e synuar të Strategjisë prej 10 pagesash deri në fund të vitit 2023, ndërkohë që, në vitin 2022, vlerësohet se kjo shifër do të arrij nivelin 16 pagesa për frymë.
Sipas guvernatorit Sejko, pagesat me kartë dhe ato homebanking gjithnjë e më shumë po bëhen pjesë e përditshmërisë së shqiptarëve.
Nga të dhënat e disponuara sa i takon volumit të transaksioneve homebanking për këtë 9-mujor, rezulton se është shënuar një rritje prej 22%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke vijuar trendin rritës të shfaqur ndër vite.
/ Rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




