Hapja e Dosjeve bashkon PD-PS, Kuvendi miraton me 94 vota pro projektligjin

Kuvendi ka miratuar me 94 vota pro Projektligjin për hapjen e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit. Miratimi i projektligjit u abstenua vetëm nga një deputet, ndërsa nuk u dha asnjë votë kundër, ndonëse në seancë plenare të pranishëm që nuk votuan ishin 45 deputetë. Projektligji erdhi pas kërkesës së Autoritetit për Informin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit pasi doli dosja se një person me iniciale I.M rezultonte të ishte bashkëpunëtor i ish-sigurimit të Shtetit. Sipas Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, ish-presidenti Ilir Meta përmendej në të paktën 140 faqe informacion në arkivat e ish-Sigurimit të Shtetit.
Sakaq, Kuvendi miratoi dhe dy amendamentet e propozuara nga socialistët dhe demokratët se kushdo mund të tërheqë dosjen e tij, pasi të ketë argumentuar kërkesën. Nëse të dhënat e kujtdo që tërheq dosjen do të bëhen publike, atëherë do të mbajë përgjegjësi.
Miratimi i këtyre amendamenteve i hap rrugë verifikimit të të gjithë personave edhe pse kanë marrë certifikatën e pastërtisë si dhe verifikimit të të gjitha subjekteve që zgjidhen apo emërohen në poste publike mbi pastërtinë e figurës së tyre.
“Çdo person gëzon të drejtën të njihet me dokumentet e ish sigurimit të shtetit dhe të kërkoj një kopje të tyre, në përputhje me ligjin për të drejtën e informimit, me kusht që kërkuesi të paraqesë të dhëna në kërkesën e tij që mundësojnë lokalizimin e informacioneve. Informacioni jepet vetëm kur angazhimi i nevojshëm për gjetjen dhe vënien në dispozicion të informacionit është në përpjesëtim të drejtë me interesin e argumentuar të kërkuesit në marrjen e këtij informacioni, Kërkuesi mban përgjegjësi për keqpërdorimin e informacionit të marrë”, thuhet në amendamentin e dakordësuar mes palëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




