Hapja e PD, Basha thirrje për kontribut intelektual edhe nga diaspora

Partia Demokratike synon të marrë dimensione të reja me ardhjen në krye sërish të Lulzim Bashës.
Këtë ambicie ndau të shtunën kryetari Basha para mijëra delegatëve të Kuvendit Kombëtar të partisë.
“Pedagogë, ekspertë në fusha të ndryshme, të rinj të talentuar, gazetarë e artistë, intelektualë publikë, profesionistë dhe sipërmarrës të Shqipërisë dhe diasporës së mrekullueshme, Partia Demokratike ka nevojë për kontributin tuaj dhe unë personalisht do të jem i gatshëm të pres kontributin tuaj për të ndërtuar të ardhmen që shqiptarët meritojnë,” deklaroi Basha.
Sipas Bashës, pushteti aktual qeverisës po e “ndrydh” shpirtin e rebelimit brenda shqiptarëve, sepse sistemi është kapur nga kreu në fund.
“Praktikisht ne jemi sot në një parti shtet që kontrollon çdo institucion, çdo pushtet dhe çdo qelizë të administratës publike. Politika shqiptare nuk e ka pasur në asnjëherë në këtë nivel në 30 vite pluralizëm. Nuk është e vërtetë që rinia dhe shoqëria shqiptare është apatike, e painteresuar për politikën dhe demokracinë. Nuk është e vërtetë që shoqëria shqiptare është e paorganizuar. Ky është një mit i rremë. Është pushteti i Edi Ramës që ka krijuar një shoqëri të brishtë, ndaj sot kemi nevojë për reforma urgjente për të rrënjosur parimet demokratike në Shqipëri,” u shpreh Basha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




