“Harta e re gjyqësore po funksionon”, Kryetarja e KLGJ: Vetingu ka zbrazur gjykatat

Që prej 1 korrikut, ka hyrë në fuqi faza e tretë dhe e fundit e hartës së re gjyqësore, e cila redukton ndjeshëm numrin e gjykatave dhe përqendron disa prej tyre në Tiranë. Por a e ul cilësinë e shërbimit dhe a e rrit kohën e dhënies së drejtësisë kjo reformë?
Në një intervistë për emisionin “Pa Censurë”, kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, që e ndërmori këtë nismë, sjell fakte që argumentojnë se harta po funksionon.
“Gjykata e Apelit ka ecur dhe po mbyll çështje. Janë shqyrtuar dhe është dhënë përgjigje për 3590 çështje për 4 muaj, oqë do të thotë se 1 gjyqtar mund të mbyllë deri në 480 çështje, duke tejkaluar objektivin e hartës gjyqësore me rreth 435 çështje për gjyqtar”. -tha zonja Llagami, e cila vendos theksin se problemi është rënduar për shkak të vetingut.
“Apeli i Përgjithshëm ka tani 24 gjyqtarë nga 78 që duhet të ketë, por të dhënat tregojnë se harta e re gjyqësore ndikon direkt në uljen e dosjeve të prapambetura, megjithë problemet që shfaqen”- u shpreh kryetaraja e KLGJ-së.
Ajo pohoi për emisionin “Pa Censurë”, se fokusi i institucionit që ajo drejton do të jetë në çlirimin e gjyqësorit nga dosjet e prapambetura, jo vetëm në Gjykatën e Lartë, por edhe në Gjykatën e Apelit dhe të Apelit Administrativ.
Me hartën e re gjyqësore, gjykatat e shkallës së parë nga 22 mbeten 13, gjykatat e apelit nga 6 mbeten 1 dhe ajo është në Tiranë, gjykatat administrative nga 6 mbetën 2, në Tiranë dhe Lushnjë. Krahas këtyre funksionojnë dhe Gjykata Administrative e Apelit dhe Gjykata e Lartë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




