Has/ Policia: Pakot e gjetura në makinën e kandidatit të PS, ishin marrë nga magazina e Bashkisë

Politikë | 4 vite më parë

Policia e Hasit ka reaguar pas videos së publikuar në media, ku kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Has, Miftar Dauti pretendonte se djali i kandidatit të PS për këtë bashki, Beqir Mulaj (I cili në Has njihet me emrin Halit Mulaj) ka shpërndarë pako ushqimore dhe produkte të tjera te qytetarët, sipas tij për të blerë votën më 14 maj.

Policia sqaron se pas marrjes së autorizimit nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, kanë ushtruar kontroll mbi furgonin e bllokuar nga kallëzuesit, ku kanë konstatuar 21 pako me mbishkrimin “Rezerva Materiale Shtetërore”, të ngarkuara në magazinën e Bashkisë.

Policia thekson se “në prezencë të oficerëve të Policisë Gjyqësore, drejtuesit të furgonit dhe palës kallëzuese, është ushtruar kontroll në brendësi të furgonit, ku janë konstatuar 21 pako me mbishkrimin “Rezerva Materiale Shtetërore”, të cilat ishin ngarkuar në magazinën e bashkisë”.

Policia ka marrë në pyetje dy vëllezërit, djemtë e Kandidatit për kryebashkiak të Hasit, Mulaj dhe magazinierin e bashkisë, në cilësinë e personave që kanë dijeni mbi pakot e konstatuara brenda furgonit.

Gjithashtu sqaron se çfarë ndodhi mbrëmjen e së dielës. Furgoni drejtohej nga njëri prej djemve të Mulajt.   

“Më datë 17.04.2023, rreth orës 21:00, një grup personash kanë bllokuar në qendër të qytetit të Hasit, një automjet furgon me targa AB 333 EC, me drejtues shtetasin B. M., me pretendimin se ishte i ngarkuar me pako me ndihma të cilat dyshonin se do të shpërndaheshin për llogari të një kandidati të një subjekti politik, dhe për këtë rast kanë njoftuar Komisariatin e Policisë Has dhe është vënë në dijeni Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, janë pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni mbi pakot e gjetura në furgon, shtetasit B. M., E. M (vëllezër) dhe Sh. M. (me detyrë magazinier i bashkisë)”, njofton Policia.

Ditën e djeshme (17 prill), u publikua në media një video ku dy djemtë e kandidatit për Kryebashkiak të Hasit ngarkonin pako me ushqime në një furgon. Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Has, Miftar Dauti pretendonte se këto pako do të shpërndaheshin për qëllim blerje votash, akuzë kjo e hedhur poshtë nga vetë kandidati i PS, i cili sqaroi se pakot do shpërndaheshin për natën e Kadrit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme