Hetim tregut të karburanteve

Ekonomi | 6 vite më parë

Në dy dekadat e fundit kanë qënë të shumta shqetësimet për abuzime në tregun e karburanteve në Shqipëri. Ai fillon nga mungesa e konkurrencës dhe vendosja e monopolit e deri tek çmimet abuzive në treg.
Pesë vjet më parë, hetimi i realizuar nga Autoriteti i Konkurrencës, evidentoi faktin se ekzistojnë hallka të tepërta në strukturat e tregut që nuk justifikojnë vlerën e shtuar. Ato nisin që nga importi, zonat e lira doganore, shitjet me shumicë, shitjet me pakicë, deri tek konsumatori fundor. Sipas hetimit kjo gjendje shkaktonte rritjen artificiale të kostove dhe një elasticitet të çmimit mesatarisht të ulët, kryesisht kur ulet çmimi në tregun ndërkombëtar.
Edhe pas pesë vjetësh nuk ka ndryshuar asgjë dhe sidomos pas rekomandimeve të autoritetit në fjalë. Institucionet përgjegjëse nuk pasqyruan asnjë nga kërkesat e ligjit të konkurrencës dhe të vetë autoritetit. Ky i fundit, u detyrua të hetojë sërish tregun e karburanteve në vend. 
Në fund të muajit tetor, Autoriteti i Konkurrencës vendosi hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e ngarkim-shkarkimit, importit, depozitimit, shitjes me shumicë të karburanteve. Hetimi do të përfshijë periudhën tetor 2017-tetor 2020 dhe synon të mbledhë shenja të mundshme të kufizimit të konkurrencës në tregjet e mësipërme.
Hetimi përfshin tre koncensione në Vlorë, Porto Romano dhe Durrës.
Sipas të dhënave zyrtare, secili prej operatorëve të mësipërm ndodhet në pozita monopol. Ato janë të lidhura ose me zonën gjeografike, ose me kapacitetet e shërbimit. Kështu aksionerët e porteve të Porto Romanos janë njëkohësisht të pranishëm edhe në hallkat e tjera të importit dhe tregtimit me shumicë dhe pakicë të karburanteve. Ato krijojne potenciale për shfrytëzimin e pozitës dominuese në tregun e ngarkim-shkarkimit për të dëmtuar konkurrentët në hallkat e mëtejshme të tregtimit të karburanteve. 
Në Shqipëri tregu i importit të karburanteve është gjithashtu mjaft i përqendruar, ku tre kompani zotërojnë mbi 80% të tregut.
Kjo situatë ka qenë disa herë objekt i hetimeve të mëparshme nga Autoriteti i Konkurrencës. Por ai ka mbyllur hetimin në tregun e karburanteve pa marrë asnjë masë ndëshkuese ndaj kompanive nën hetim. Ndonëse zyrtarisht nuk ka fajtorë, hetimi ka konfirmuar se tregu nuk funksionon siç duhet dhe konsumatorët po paguajnë çmimin e konkurrencës së pamjaftueshme.
Ndërkaq sasia e karburantit të importuar gjatë gjysmë së parë të vitit shënoi rritje, kohë kur u importuan  mbi 235 mijë tonë karburant, sasi më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019-s.
Të ardhurat nga importi i karburanteve dhanë kontributin më të lartë në të ardhurat e mbledhura gjithsej në gjysmën e parë të vitit 2020 me afro 21.9%, apo 14.9 miliardë lekë.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme