Hetimet mbi sterilizimin/ Rama: Kush nuk i rezistoi dot tundimit, do paguajë

“Nëse në procesin e kontratës së sterilizimit individë të caktuar kanë hyrë në gjynah me popullin, do të paguajnë.”
Kështu ka deklaruar kryeministri Edi Rama në konferencën e sotme (25 gusht), pyetur në lidhje me hetimet për atë që njihet si “koncensioni i sterilizimit”.
Ndërsa e konsideroi sterilizimin si një prej punëve më të mira që ka bërë qeveria “Rama”, kryeministri u shpreh i prerë kur tha se individët, të cilët nuk i kanë rezistuar dot tundimeve gjatë procesit të kontratës, do të paguajnë dhe do të mbajnë përgjegjësi individuale.
“Sterilizimi është një nga punët më të bukura që kemi bërë. Pyesni mjekët. Kam marrë mesazhe pa fund nga profesorë, mjekë që ishin të keqkuptuar apo të shqetësuar se mos kontrata do sekuestrohej. Nuk ishte ky rasti.
Pse? Sepse me atë kontratë dhe transformim ne kemi ndryshuar shëndetësinë shqiptare në hallkën e vetë më delikate, që është ndërhyrja në trupën e njerëzve. Nëse në procesin e asaj kontrate, individë të caktuar kanë hyrë në gjynah me popullin dhe atdheun, do paguajnë.
Kështu funksionon. Kur ne zgjedhim, nuk i kalojmë njerëzit në sallën e torturave për të marrë vesh ç’bëjnë në të ardhmen. Pushteti është kafshë shumë e egër. Shumë e vështirë ta mbash të zbutur dhe të mos biesh pre e dhëmbëve të veta. Ka shumë që e mbajnë, ka disa që nuk e mbajnë.
Ka disa që nuk i rezistojnë tundimeve, por s’mund të bëjmë parashikime kush do i rezistojë kur bëjmë zgjedhjet tona. Mendoj që këtë gjë do e shohim pozitivisht. Këtu s’ka asgjë tjetër përveç përgjegjësisë individuale të secilit që nuk mban dot peshën e tundimit për të bërë një rrugë e dy punë dhe rezultateve të punës,” tha Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se ai ndjen përgjegjësi vetëm para shqiptarëve për mënyrën si ka shkruar kjo çështje dhe reagimi i tij nuk ka të krahasuar me qeverinë paraardhëse.
“Përgjegjësia morale është karshi shqiptarëve për një drejtësi që bën atë që duhet. Nëse me vonë do shoh që kjo gjë s’funksionon, do them që moralisht nuk do ndihesha mirë para shqiptarëve. Nëse dikush shfrytëzon rrugën e përbashkët për qëllimin e përbashkët për të kapur mandarina në luftë, do e paguajë, kaq e thjeshtë është.
Nëse ndërtoni një familje, niseni nga më e mira. Në rast se, larg qoftë, ju del se nuk e keni parë si duhet të ardhmen, përgjegjësia është e atij që ua lëndon besimin.
Edhe në botën demokratike, kur në një vend tjetër ndodh diçka e ngjashme, lideri apo organizata e caktuar nuk gjykohet për çfarë bëri personi, por gjykohet për atë si reagon ndaj asaj që ndodhi: reagon duke u distancuar, reagon duke mbajtur qëndrim apo reagon duke justifikuar, duke fshehur, duke mbrojtur.
Në këtë vend, paraardhësi im mbante në detyrë një njeri që ishte në arrest shtëpie. Ishte drejtor i përgjithshëm i taksave. A e kuptoni çfarë ka ndodhur në këtë vend,” përfundoi Rama.
Në lidhje me koncensionin e sterilizimit, GJKKO ka lënë në fuqi masat e sigurisë për 8 të akuzuarit, duke konfirmuar masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, dhe biznesmenin Ilir Rrapaj.
Po ashtu, GJKKO ka lënë në arrest shtëpie Saimir Kadiun e Marsela Serjanajn, drejtorë në Ministrinë e Shëndetësisë, dhe detyrim paraqitje për Naile Ajazi, Genc Burazeri, Petref Mersini dhe për shefin e Kirurgjisë, Arben Gjata.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




