Hetimet për vdekjen e iranianit, Prokuroria pyet 10 muxhahedinë, kërkon kamerat brenda kampit

Prokuroria e Durrësit kërkon që kamerat e sigurisë, të cilat janë instaluar në mjediset e brendshme të kampit të muxhahedinëve në Manzë të Durrësit, të sekuestrohen.
Është prokurori Sokol Nishani, ai që gjatë së mërkurës mori në pyetje, brenda kampit, dhjetë anëtarë të këtij komuniteti ndërsa drejtuesve të kampit u është kërkuar që të japin edhe kamerat e sigurisë.
Përmes këtij vendimi, prokurori i çështjes synon që të përftojë imazhe të detajeve të ngjarjes së shënuar të martë, ku anëtarët e kampit u përplasën me forcat e Policisë, pasi ishin kundër kontrolleve që Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kishte firmosur.
Burime nga organi i akuzës thanë, se dhjetë personat e pyetur kanë deklaruar se, policia ka ushtruar dhunë ndaj tyre ndërsa kanë shtuar se përmes sarajit që kanë përdorur efektivët blu, ata janë përgjegjës për humbjen e jetës së një anëtari në kamp.
Që ditën e përplasjes, Policia mohoi përdorimin e forcës gjatë kontrollit ndërsa theksoi se pret rezultati e autopsisë së trupit të të ndjerit për të parë shkaqet e vdekjes së tij.
Përplasja mes forcave të Policisë dhe banorëve të kampit MEK u shënua të martë, ku 15 efektivë dhe 21 banorë të kampit u lënduan si pasojë e reagimit të muxhahedinëve ndaj kontrollit të policisë.
Efektivët blu arritën që të sekuestronin në cilësinë e provës, të cilat kërkoheshin në vendimin e Gjykatës së Posaçme, 96 njësi kompjuterike, 49 laptopë, 2 tableta, 3 karta memorie dhe materiale shkresore të bollshme, të cilët tentuan ti asgjësonin me djegie, disa anëtarë të MEK.
Në total u kontrolluan 17 mjedise, por brenda kampit numërohen rreth 127 objekte, të ndërtuara në një territor prej 38-40 hektarë.
Policia shqiptare ushtroi 2 ditë më parë një kontroll të gjerë në kampin e Muxhahedinëve në Manëz pasi dyshohet se ata janë përfshirë në sulme kibernetike kundër institucioneve sbhqiptare.
Policia hasi në rezistencën e banorëve të këtij kampi, ku një person mbeti i vdekur dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.
Forcat e policisë ndërhynë në kamp pas vendimit të Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit (SPAK) që autorizoi operacionin për shkak të shqetësimeve se MEK ishte përfshirë sulme kibernetike.
Gazetare: Flutura Tota
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




