Houthis godasin anijen tregtare amerikane në Detin e Kuq

Botë | 3 vite më parë

Lëvizja Houthi në Jemen ka bërë me dije se ka goditur një anije tregtare amerikane në Detin e Kuq, në një sulm të ri që synonte anijet tregtare.

Zëdhënësi ushtarak Houthi, Yahya Sarea, deklaroi një ditë më parë (31 janar) se forcat e armatosura të lëvizjes kishin vënë në shënjestër një anije tregtare amerikane të quajtur KOI me “disa raketa të përshtatshme detare”.

Anija, tha ai, ishte nisur për në “portet e Palestinës së pushtuar”, një frazë që ndonjëherë përdoret për të nënkuptuar Izraelin.

Jemeni, shtoi ai, “nuk do të hezitojë” të hakmerret kundër “përshkallëzimit britaniko-amerikan”.

“Të gjitha anijet amerikane dhe britanike në Detin e Kuq dhe Arabik janë objektiva legjitime për Forcat e Armatosura të Jemenit për sa kohë që agresioni amerikano-britanik kundër vendit tonë vazhdon”, tha zëdhënësi Houthi.

KOI është një anije konteinerësh me flamur Liberian e operuar nga Oceonix Services me bazë në Mbretërinë e Bashkuar. Flota e së njëjtës kompani përfshin cisternën e naftës Marlin Luanda, e cila u dëmtua nga një raketë të shtunën.

Houthi-t i konsiderojnë të gjitha anijet izraelite, amerikane dhe britanike si objektiva legjitime pas luftës së Izraelit ndaj Hamasit në Gaza dhe shënjestrimin e SHBA-së dhe Britanisë së pozicioneve të raketave Houthi në ato që të dy vendet thonë se janë përpjekje për të mbrojtur tregtinë.

Sulmet e Houthi-ve ndaj anijeve në Detin e Kuq kanë ngadalësuar tregtinë ndërkombëtare, duke rritur frikën për pengesat e furnizimit.

Më 7 tetor, qindra persona të armatosur palestinezë nga Gaza depërtuan në jug të Izraelit, ku vranë rreth 1300 njerëz – kryesisht civilë – dhe morën peng 250 të tjerë.

Izraeli u përgjigj duke nisur një fushatë ushtarake në Gaza, gjatë së cilës më shumë se 26,900 njerëz – shumica prej tyre gra dhe fëmijë – janë vrarë, sipas ministrisë së shëndetësisë atje, e cila kontrollohet nga grupi Hamas.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme