Humbi Bashkinë Durrës, Igli Cara: Këto zgjedhje treguan se vullneti i qytetarëve mund të tjetërsohet

Kandidati i “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Durrës, Igli Cara ka falënderuar të gjithë qytetarët që e votuan, edhe pse ai nuk arriti të ishte fitues.
Duke reaguar për herë të parë pas humbës, Cara tha se këto zgjedhje treguan se vullneti i qytetarëve mund të tjetërsohet.
Edhe pse nuk arriti të fitonte, Cara shprehet se do të vijojë të takojë qytetarët e Durrësit për të dëgjuar shqetësimet e tyre pasi “Durrësi mbetet familja jonë e madhe”
“Mirënjohës ndaj çdo bashkëqytetari që më mbështeti përgjatë këtij rrugëtimi, duke më votëbesuar në këto zgjedhje!
Falenderues ndaj çdo demokrati, opozitari, mbështetësi, që u bënë pjesë e procesit të votimit dhe numërimit, duke tejkaluar vështirësitë dhe duke qenë aty, për t’i dhënë vlerë çdo vote!
Një rezultat i ndikuar nga shumë faktorë, i cili tregoi se vullneti i qytetarëve mund të kushtëzohet, të kontrollohet dhe të tjetërsohet, në emër të zhvillimit, për të përqendruar pushtetin në një dorë të vetme, që shpërdoron dhe grabit ditën për diell, pasuritë kombëtare dhe fondet publike.
Durrësi mbetet familja jonë e madhe, që na bën bashkë, ku unë do të vazhdoj, si çdo ditë, të shikoj miqtë, kolegët, qytetarët në sy, duke u shtrënguar duart, sepse lidhja me këtë qytet dhe ndershmëria, për mua mbeten zgjedhje pa kompromis. Faleminderit me zemër!”, shkruan Caran në facebook.
Në zgjedhjet e 14 majit, fitues për Bashkinë Durrës u shpall kandidatja e PS Emiriana Sako me 55.57 % ose 48512 vota, ndërsa Igli Cara mori 44.43 % ose 38784 vota.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




