I lidhur me karburantet fosile, ligjvënësit amerikanë dhe evropianë kërkojnë largimin e kreut të bisedimeve të OKB-së për klimën

Botë | 3 vite më parë

Dhjetra anëtarë të Kongresit dhe Parlamentit Evropian, kërkuan të martën që kryetari i samitit të ardhshëm të klimës i Kombeve të Bashkuara të zëvendësohet, për shkak të lidhjeve të tij me sektorin e karburanteve fosile. Kjo, në mënyrë që ndikimi i industrisë së tij në bisedimet e ardhshme të jetë i kufizuar.

Emiratet e Bashkuara Arabe janë kritikuar ashpër nga avokatët e mjedisit për emërimin e Sulltan al-Jaber, kreut të Kompanisë Kombëtare të Naftës Abu Dhabi në pronësi të shtetit, për të kryesuar takimin e 30 nëntorit – 12 dhjetorit në Dubai të njohur si COP28.

Në një letër të hapur, ligjvënësit i kërkuan Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres, Presidentit të SHBA, Joe Biden, Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe shefit të OKB-së për klimën Simon Stiell, që të “angazhohen në përpjekje diplomatike për të siguruar tërheqjen e presidentit të emëruar të COP28”.

Duke përmendur praninë e qindra lobistëve të industrisë së naftës dhe të gazit në bisedimet e vitit të kaluar për klimën në Egjipt, ligjvënësit u bënë thirrje udhëheqësve, që të “ndërmarin hapa të menjëhershëm për të kufizuar ndikimin e industrive ndotëse, veçanërisht aktorëve kryesorë të industrisë së karburanteve fosile. 

Dhjetra senatorë amerikanë dhe anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve nënshkruan letrën, duke përfshirë demokratë progresivë dhe të pavarur. Senatori veteran amerikan Sheldon Whitehouse ndihmoi në përpilimin e letrës. Përfaqësuesja e SHBA-së Katie Porter, senatori Bernie Sanders, senatorja Elizabeth Warren, si dhe senatori Jeff Merkley, ishin mes atyre që nënshkruan.

Nënshkruesit nga Parlamenti Evropian erdhën kryesisht nga anëtarë të të Gjelbërve, Social Demokratëve dhe të së Majtës, por edhe nga të pavarur, si dhe një ligjvënës konservator.

Zyra e Al-Jaber iu përgjigj letrës duke treguar përvojën e tij në 11 konferencat e kaluara të OKB-së për klimën, zotimin e tij për të larguar biznesin e ADNOC nga karburantet fosile, si dhe rolin e tij në themelimin e Masdar, një kompani e energjisë së rinovueshme.

“Ne besojmë se përvoja e Dr. Sulltanit si inxhinier, duke punuar në të gjithë spektrin e energjisë, së bashku me përvojën e tij si një udhëheqës i lartë i industrisë globale, janë asete që do të ndihmojnë në nxitjen e qasjes transformuese të Emirateve të Bashkuara Arabe ndaj COP28,” tha ai.

I dërguari i SHBA për klimën, John Kerry, në të kaluarën, e ka përshkruar al-Jaber si një “zgjedhje të frikshme” për të kryesuar bisedimet. Apnews

/rtsh.al/

 

 

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme