Ibrahimaj: Mekanizmi i ri për shqyrtimin e investimeve të huaja forcon sigurinë ekonomike dhe besimin e investitorëve

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në aktivitetin “Albania’s Foreign Direct Investment Screening Framework”, organizuar nga AmCham Albania në bashkëpunim me Center for International Private Enterprise.
Ky aktivitet mblodhi përfaqësues të institucioneve shtetërore, komunitetit të biznesit, investitorëve vendas e të huaj, organizatave ndërkombëtare dhe trupit diplomatik, për të prezantuar mekanizmin e ri shqiptar për shqyrtimin e investimeve të huaja direkte.
Në fjalën e saj, ministrja Ibrahimaj theksoi se ky mekanizëm është rezultat i një pune të gjatë institucionale dhe bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë, në kuadër të procesit të integrimit europian.
Ajo u shpreh se mekanizmi nuk përbën një barrierë për investimet, por një praktikë të konsoliduar që zbatohet prej vitesh në vendet e Bashkimit Europian dhe ekonomitë e zhvilluara.
“Ky mekanizëm garanton më shumë siguri, transparencë dhe një mjedis më të besueshëm për investitorët seriozë që zgjedhin Shqipërinë”, tha Ibrahimaj.
E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA në Shqipëri, Nancy VanHorn, e cilësoi kuadrin shqiptar si një zhvillim të rëndësishëm, duke theksuar se ai është një deklaratë strategjike që tregon hapjen e Shqipërisë ndaj investimeve, duke mbrojtur njëkohësisht interesin kombëtar.
Sipas saj, investitorët amerikanë po e ndjekin me vëmendje këtë proces dhe kërkojnë rregulla të qarta, kushte të barabarta konkurrimi dhe mbrojtje të sektorëve strategjikë.
VanHorn nënvizoi se zbatimi i kuadrit ligjor do të jetë vendimtar për suksesin e tij dhe se SHBA do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë.
Ministrja Ibrahimaj vlerësoi gjithashtu ecurinë pozitive të ekonomisë shqiptare dhe rritjen e vazhdueshme të investimeve të huaja direkte, të cilat vitin e kaluar arritën mbi 1,6 miliardë euro.
Ajo theksoi se investimet e huaja jo vetëm që kontribuojnë në rritjen ekonomike, por sjellin edhe transferim të teknologjisë, standardeve të menaxhimit dhe zhvillimit të biznesit.
Drejtori Ekzekutiv i AmCham Albania, Neritan Mullaj, theksoi rëndësinë e krijimit të mekanizmave modernë që garantojnë sigurinë ekonomike dhe një mjedis të qëndrueshëm për investitorët. Ai sqaroi se ky kuadër nuk synon kufizimin e investimeve, por krijimin e një ambienti me rregulla të qarta dhe transparente. Presidenti i AmCham, Grant Van Cleve, shtoi se ky proces është rezultat i një pune të gjatë dhe bashkëpunimi me partnerë vendas e ndërkombëtarë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




