Ikonat shqiptare në Francë, ekspozita në Chambéry tërheq vëmendjen e vizitorëve dhe studiuesve
Ekspozita “Ikonat e Shqipërisë – Thesaret e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar të Korçës”, e çelur në qershor në Chambéry të Francës, vijon të jetë e hapur për publikun.
Përmes 45 ikonave të përzgjedhura nga fondi i muzeut, ekspozita sjell përpara publikut francez vlerat e artit dhe trashëgimisë shqiptare, duke promovuar njëkohësisht Korçën si një destinacion të rëndësishëm të turizmit kulturor.
“Ka ngjallur një interes mjaft të madh, sigurisht, për shtetasit francezë, për qytetarët e Shën Berisë, por jo vetëm. Interes të veçantë ka edhe nga Italia dhe nga Zvicra, përderisa është një qytet kufitar me këto vende. Kështu që interesi ndaj veprave artistike të qytetit të Korçës, për qytetin e Korçës, për Shqipërinë, për historinë, për trashëgiminë kulturore, ka qenë i jashtëzakonshëm”, tha Fjoralba Prifti, Drejtore e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar.
Ekspozita ka tërhequr vëmendjen edhe të studiuesve, të cilët kanë shfaqur interes për veprat e artit mesjetar shqiptar të prezantuara në Chambéry.
“Gjithashtu, ka pasur interes nga studiuesit, të cilët, sigurisht, nga pala franceze, mendojnë që të jo vetëm të studiohet, por edhe të promovohet më shumë në muze, si ai i Luvrit, apo dhe në muze të tjerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë”, tha ajo.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në muajin nëntor. Prezantimi për herë të parë i 45 ikonave të muzeut para publikut francez synon të forcojë bashkëpunimin kulturor mes Shqipërisë dhe Francës, duke i dhënë më shumë hapësirë trashëgimisë shqiptare në skenën evropiane.
Gazetare: E. Fili
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




