Inceneratorët, deputeti socialist Bllako dorëzon mandatin

Politikë | 5 vite më parë

Deputeti socialist Alqi Bllako pritet t’i dorëzojë të mërkurën Kryetares së Kuvendit mandatin e tij si deputet.
Dorëzimi i mandatit nga Bllako vjen pas një urdhër-arrestit të lëshuar nga SPAK, që e akuzon atë për aferën e inceneratorëve.
Bllako shkruan se një proces i drejtë do të provojë pafajësinë e tij, ndërkohë SPAK argumenton se deputeti ka përfituar para në vlera të mëdha, për tjetërsimin e pronës për të ndërtuar inceneratorin.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, në funksionin e tij si Sekretar i Përgjithshëm, i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, Bllako dyshohet se ka favorizuar shoqërinë përfituese të koncensionit, në këmbim “të përfitimeve të parregullta” me një vlerë prej afro 150 mijë dollarë.
Për pasojë, nën sekuestro ka përfunduar një apartament, me sipërfaqe 99.48 m2, në Tiranë, në pronësi të babait të deputetit Bllako, i punësuar nga kompanitë e inceneratorëve.

Po ashtu Bllako, akuzohet se në bashkëpunim me Kryetarin e Komisionit të Shpronësimit, Pëllumb Abeshi, dhe me ish Ministrin e Mjedisit Lefter Koka kanë përgatitur dokumentacion të falsifikuar në lidhje me të dhënat e pronës së shpronësuar, për ndërtimin e inceneratorit të Fierit, duke ndryshuar cilësimin nga “arë” në “tokë truall”, me pasojë një dëm ekonomik prej afro 160 mijë dollarësh. 
Çështja Bllako pritet të diskutohet edhe në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Socialiste që mbahet po të mërkurën.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme