Incidenti me turistët në Berat/ Meloni: Turp, nuk është Italia që dua të përfaqësoj

Incidenti me turistët italianë, të cilët ikën pa paguar darkën nga një restorant në Berat, e ka turpëruar kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni.
Kështu u shpreh të shtunën (19 gusht) shefja e qeverisë italiane me një reagim në rrjetet sociale.
Meloni tha se ishte vënë në dijeni të videos nga vetë kryeministri Edi Rama, që vetë ka deklaruar se ia kishte treguar më shumë si një shaka.
“Më erdhi turp, sepse Italia që dua të përfaqësoj nuk është Komb qe e bën veten të përflitet jashtë për gjëra të tilla, që nuk respekton punën e të tjerëve, që mendon se mund të qeshë duke ua hedhur të tjerëve. Ndaj vendosa t’i kërkoj ambasadorit të shkonte të merrte faturën, të cilën e pagova personalisht.
Megjithatë kjo në Itali ka krijuar edhe polemika, sepse ka një opozitë që me sa duket preferon një tjetër imazh të Italisë,” reagoi kryeministrja italiane në Facebook.
Pamjet e katër turistëve italianë teksa largoheshin me vrap nga restoranti u publikuan nga pronari i biznesit, i cili u shpreh, megjithatë, se klientët e tij kishin mbetur të kënaqur me ushqimin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




