Incineratorët, Kulluri: Vlerësojmë thellimin e hetimeve nga SPAK për rolin e Bashkisë Tiranë

Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Edvin Kulluri në një deklaratë për media ka vlerësuar thellimin e hetimeve nga ana e SPAK në lidhje me rolin e Bashkisë së Tiranës për Inceneratorët.
Sipas PD-së, Kryebashkiaku Veliaj është angazhuar personalisht me shkrim përmes anekseve të marrëveshjes me Ministrinë e Mjedisit, se merr përgjegjësinë e plotë për detyrimet financiare sipas kontratës për Landfilin e Sharrës, për një shërbim që nuk u ofrua kurrë.
“Njëkohësisht opinioni publik pret nxjerrjen e përgjegjësive ligjore të funksionarëve më të lartë të Bashkisë, si Kryetarin dhe Administratorin e Përgjithshëm për këto arsye:
1) Kryetari i Bashkisë Tiranë është angazhuar personalisht me shkrim përmes anekseve të marrëveshjes me Ministrinë e Mjedisit, se merr përgjegjësinë e plotë për detyrimet financiare sipas kontratës për Landfilin e Sharrës, për një shërbim që nuk u ofrua kurrë;
2) Kryetari i Bashkisë Tiranë përfaqëson autoritetin më të lartë ligjor në marrëdhënie më palët e treta, konkretisht kompaninë që nuk e ofroi as edhe një ditë djegien e mbetjeve;
3) Menaxhimi i Mbetjeve Urbane është kompetencë ekskluzive e njësive të qeverisjes vendore, konkretisht Bashkisë Tiranë;
4) Administratori i Përgjithshëm është personi përgjegjës sipas ligjit për Buxhetin e Shtetit për të ardhurat dhe shpenzimet e institucionit”, deklaroi Kulluri. Ky i fundit inkurajoi SPAK dhe GJKKO që të thellojnë hetimet për Bashkinë e Tiranës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




