Incineratori i Tiranës/ Kryebashkiaku i Kavajës lë në fuqi kontratën: Do negocioj për një çmim më të mirë

Kryetari i ri i Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, ka vendosur të mos anulojë kontratën me impiantin e Mbetjeve në Sharrë, pavarësisht se Partia Demokratike që ai përfaqëson flet për një aferë korruptive.
Zoti Qosja pohoi në një intervistë me gazetaren Elona Meço se do të bëjë përpjekje për rishikimin e kontratës për uljen e kostos.
“Faktikisht, ka një kosto të tepruar. Unë do të negocioj me ta dhe besoj se do të kemi një reduktim të kostove. Në lidhje me denoncimet, ato i di SPAK.
Unë jam i detyruar të bashkëpunoj, sepse mbetjet nuk mund të rrinë rrugëve”- tha kryetari i ri i Bashkisë së Kavajës në emisionin “Pa Censurë” në RTSH.
Fisnik Qosja shprehu disa herë gatishmërinë për të bashkëpunuar me qeverinë, duke tejkaluar përkatësitë partiake.
“Unë do t’i shërbej vetëm qytetarëve të Kavajës, me çdo çmim. Në funksion të këtij qëllimi, për të mirën e Kavajës, do t’i shtrij dorën e bashkëpunimit qeverisë, kryeministrit, duke ofruar projekte konkrete”, tha kryebashkiaku demokrat i Kavajës, Fisnik Qosja.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




