Integrimi në BE, Macron gati të ndërmjetësojë në heqjen e vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut

Rajon | 4 vite më parë

Presidenti i Francës Emmanuel Macron është gati të ndërmjetësojë mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, që kjo e fundit të heq veton bllokues të integrimit në BE kundrejt Shkupit Zyrtar. Macron ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin bullgar Rumen Radev dhe me kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski pikërisht për të gjetur një zgjidhje për mosmarrëveshjet mes dy vendeve që po bllokojnë të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut.

Sipas njoftimit për shtyp, Macron shprehu mbështetjen e tij të plotë për “një marrëveshje mes dy vendeve, e cila do të kontribuonte në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe respektimin e të drejtave themelore të qytetarëve duke deklaruar se i përkasin komuniteteve të tjera ose pakicave”.

Ai shprehu gjithashtu gatishmërinë për të “mirëpritur në Paris, kur të vijë koha, autoritetet e Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut me synimin për të përfunduar marrëveshjen e tyre dypalëshe”.

Franca, e cila mban presidencën e radhës të Këshillit të BE-së deri në fund të qershorit, ka mbështetur përpjekjet për të gjetur një zgjidhje për mosmarrëveshjen midis dy vendeve.

Që nga nëntori i vitit 2020, Sofja ka bllokuar fillimin e bisedimeve të anëtarësimit në BE me Shkupin për mosmarrëveshjet dypalëshe mbi gjuhën dhe historinë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme