Integrimi në BE, Rama: Shqipëria nuk do të përgatitet më për “dasmë”! Do ta ndërtojmë Europën këtu

Në një kohë që BE pritet të vendosë për mbajtjen ose jo të Konferencës së parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, kryeministri Edi Rama pati një mesazh të qarët për Unionin.
Nga Ohri, ku u zhvillua samiti i radhës për “Ballkanin e Hapur”, Rama u shpreh se “Shqipëria nuk do të përgatitet më për dasmë, por do të shkojë me rrobat e rastit”, duke iu referuar mbledhjes së ardhshme të Këshillit Europian.
“Për BE dhe dasmën e radhës, them dasmë se sa herë afrohet ky Këshilli Europian është sikur ne përgatitemi për dasmë. Shqipëria nuk përgatitet më për dasmë. Nëse ndodh do shkojmë me rrobat e rastit, nuk do përgatitemi me orkestër për krushqit dhe pastaj të ngelet nusja në derë se nuk vijnë krushqit. Ose kur të ngelet dhëndri si zdap në derë. Ballkani i Hapur është burrë, Europa e Bashkuar është nusja. Kjo është keq për ne se të ishim nusja do na merrnin me shpejt. Po një burrë me kaq probleme, atje ke vrarë atë, ke hedhur në erë atë, është problem”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare u kujdes të theksonte se perspektiva e vendeve të Ballkanit Perëndimor është integrimi në BE, por theksoi se deri sa kjo ditë të vijë, vendet mund ta “ndërtojnë Europën” në rajon.
“Por ne do ndërtojmë Europën këtu dhe kur ata do të duan ta bëjnë dasmën ne do jemi gati. Prandaj i themi Maqedonisë së Veriut që mos e merrni me stres dasmën. Nuk ju marrin, ka mbaruar ajo punë. Ka dalë Bullgaria, një burrë me probleme është, na ka dalë para. Ne shqiptarët jemi në rregull, nëse do duan ta bëjmë dasmën këtu jemi, nëse nuk duan, prap këtu jemi. Është koha t’i japim fund stresit e hapën apo nuk hapën. Edhe Bullgaria kur të mërzitet me këtë kukullën që ka gjetur do e hedhë e do gjejë tjetër. Këtu bëhet fjalë për ta hapur bisedën, ne jemi shumë të devotshëm për t’u bërë pjesë e BE, por dikur kur shkoja në Bruksel, shkoja të merrja kurajë nga ata, tani më duket sikur duhet t’i jap kurajë atyre. Dikur ata më dukeshin në kulmin e formës, sot më vjen keq kur i shoh atje. Shkojmë t’i japim pak energji atyre. Sido të jetë puna, Ballkani këtu do jetë. BE me të parë me të bërë, por ne jemi këtu në mes të Europës dhe B na e bëjnë ata, por E, europian e kemi vetë” u shpreh ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




