Irani përballet me kritika ndërkombëtare dhe protesta të ashpra për vdekjen e Mahsa Aminit

Irani po përballet me kritika ndërkombëtare për vdekjen e një gruaje të mbajtur nga policia morale, e cila ndezi protesta treditore, duke përfshirë përleshje me forcat e sigurisë në kryeqytet, si dhe trazira të tjera që morën të paktën tre jetë qytetarësh. Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut bëri thirrje për një hetim.
Shtetet e Bashkuara, të cilat po përpiqen të ringjallin marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me Iranin, i bënë thirrje Republikës Islamike që t’i japë fund “persekutimit sistematik” të grave. Edhe Italia e dënoi vdekjen e saj. Zyrtarët iranianë i hodhën poshtë kritikat si të motivuara politikisht, si dhe akuzuan vendet e huaja, të paidentifikuara, për nxitjen e trazirave.
Një zyrtar iranian tha se tre persona ishin vrarë nga grupe të armatosura të paidentifikuara në rajonin kurd të vendit ku filluan protestat. Ky është konfirmimi i parë zyrtar i vdekjeve të lidhura me trazirat. Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Fars raportoi se rreth 300 protestues ishin mbledhur në qendër të Teheranit, duke brohoritur “Vdekje diktatorit”.

Gazetarët e AP më vonë panë një dislokim të madh të policisë në zonë, si dhe kosha plehrash të djegur dhe gurë të shpërndarë nëpër disa kryqëzime. Guvernatori i provincës së Teheranit, Mohsen Mansouri, akuzoi ambasadat e huaja për nxitjen e protestave dhe tha se tre shtetas të huaj ishin arrestuar. Ai nuk specifikoi kombësinë e ambasadave apo të të arrestuarve.
OKB-ja tha se policia morale e Iranit ka zgjeruar patrullimet e saj muajt e fundit, duke synuar gratë për mosmbajtjen e duhur të shamisë islame, të njohur si hixhab. OKB tha se videot e verifikuara tregojnë se gratë goditen me shuplaka në fytyrë, goditen me shkopinj dhe hidhen në furgonat e policisë për shkak se e mbanin hixhabin shumë lirshëm.
Një patrullë e ngjashme ndaloi 22-vjeçaren Mahsa Amini të martën e kaluar, duke e çuar në një komisariat. Ajo vdiq tre ditë më vonë. Policia iraniane ka mohuar keqtrajtimin e Aminit dhe thotë se ajo vdiq nga një atak në zemër. Autoritetet thonë se po hetojnë ngjarjen. Apnews
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




