Irani raporton për një “incident” në uzinën bërthamore

Botë | 6 vite më parë

Një zëdhënës i programit bërthamor civil të Iranit tha se një “aksident” goditi rrjetin elektrik të shpërndarjes së objektit bërthamor Natanz, një ditë pasi qeveria njoftoi se po fillonte centrifugat e reja të pasurimit të uraniumit.

Behrouz Kamalvandi njoftoi aksidentin të Dielën, duke thënë se nuk kishte lëndime dhe ndotje. Një shpërthim misterioz në korrik 2020 dëmtoi strukturën e përparuar të centrifugës së Natanz, me Iranin që më vonë e quajti incidentin sabotim.

Irani kishte njoftuar të Shtunën se kishte filluar centrifuga të përparuara të pasurimit të uraniumit në Natanz, në shkelje të angazhimeve të tij sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, ditë pas fillimit të bisedimeve për shpëtimin e marrëveshjes.

Shtetet e Bashkuara kishin thënë të Premten se kishin ofruar ide “shumë serioze” për ringjalljen e marrëveshjes së copëtuar, por po prisnin që Teherani të përgjigjej, diçka që lëvizja e së Shtunës dështoi të sillte reagim pozitiv.

Presidenti Hassan Rouhani inauguroi një kaskadë me 164 centrifuga IR-6 për prodhimin e pasurimin e uraniumit, si dhe dy kaskada provë – 30 secila nga modelet IR-5 dhe IR-6S – në Natanz. Ceremonia u transmetua nga televizioni shtetëror.

TV Shtetëror nuk transmetoi asnjë imazh të injektimit të gazit hekzafluorid uraniumi në kaskadat, por transmetoi një lidhje me inxhinierët në fabrikë të cilët thanë se kishin filluar procesin dhe tregonin radhë centrifugash.

Sipas REL, uzina nëntokësore e Natanzit, është ndërtesë kyçe, për programin iranian të pasurimit të uraniumit dhe monitorohet nga Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore.

Izraeli, armiku rajonal i Iranit, dyshohet se ka kryer sulme në Natanz.

Irani po ashtu e ka fajësuar Izraelin se ka vrarë një shkencëtar që dekada më parë nisi programin bërthamor ushtarak të Iranit. Izraeli thotë se nuk ka kryer asnjë sulm edhe pse kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu vazhdimisht e ka përshkruar Iranin si kërcënimin kryesor për shtetin e tij.

Incidenti në Natanz vjen në kohën kur ka përpjekje për ta ringjallur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 ndërmjet Irani dhe fuqive bërthamore, tri vjet pasi ish-presidenti amerikan, Donald Trump, tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja. Trump më pas vendosi sanksione ndaj Republikës Islamike.

Në kundërpërgjigje ndaj këtyre vendimeve të Trumpit, Irani filloi të shkelte marrëveshjen. Teherani tani nuk respekton asnjë nga kufizimet për uranium të vendosura në këtë marrëveshje. Ky shtet, tashmë pasuron uranium në 20 për qind pastërti, një lëvizje kjo që e çon vendin drejt arritjes së nivelit për armë bërthamore.

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme