Ish-presidenti Bill Klinton mbyll vizitën në Shqipëri: Po iki duke menduar se emri tjetër i Nju Jorkut është West Albania

Politikë | 3 vite më parë

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton ka mbyllur vizitën e tij të parë në Shqipëri.

Kryeministri Rama e ka përcjellë ish-presidentin e 42-të të SHBA-ve në aeroportin e Rinasit. Teksa ka publikuar një foto së bashku me Klinton nga aeroporti, Rama citon ish-presidentin teksa ky i fundit ka deklaruar se po largohet duke menduar se emri tjetër i Nju Jorkut është West Albania.

“Ishte e gjitha e jashtëzakonshme! Nuk do doja të ikja sot dhe po iki duke menduar se emri tjetër i Nju Jorkut është West Albania”  – Bill Clinton”, shkruan Rama.

Ish-presidenti amerikan, mbërriti të hënë (3 korrik) në Tiranë, ku u prit në aeroport nga Kryeministri Edi Rama.

Ky i fundit, në një ceremoni të posaçme, i ka akorduar ish-presidentit amerikan Bill Klinton, Yllin e Mirënjohjes Publike, një nga çmimet më të larta që jep zyra e Kryeministrisë ndaj figurave të tilla.

Në fjalën e tij, Rama iu drejtua ish-presidentit Klintonit se ai ka qëndruar me Shqipërinë përmes fjalëve dhe veprave të tij duke dëshmuar angazhimin e Amerikës ndaj vendit tonë.

Ndërsa Klinton, në fjalën e tij, pasi vlerësoi miqësinë midis dy kombeve, SHBA- Shqipëri, vuri theksin në faktin se ka vlerësuar komentet e kryeministrit Rama për të në lidhje me Kosovën, por nga ana tjetër ka nënvizuar se kjo ditë do të mbetet një thesar në jetën e tij.

Klinton u shpreh se mbeti mjaft i suprizuar nga pritja që iu bë para kryeministrisë, me disa fëmijë, të cilët mbanin emrin e tij si emër, në shenjë vlerësimi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme