Ishte në kërkim në Krujë, Tiranë dhe Durrës, policia e Lezhës prangos një shtetas për mashtrim

Policia e Lezhës bëri të ditur se ka prangosur një shtetas, i cili u kishte marrë para disa qytetarëve, duke i mashtruar se do t’i pajiste me tollona për blerje karburanti me çmime të favorshme, si dhe për ofrimin e shërbimeve të tjera.
Mbi 54-vjeçarin e ndaluar rëndonin 4 masa sigurie “Arrest në burg”, të caktuara nga gjykatat e Lezhës, Krujës, Tiranës dhe Durrësit, për raste të ndryshme mashtrimi, si dhe me precedent kriminal të mëparshëm për një sërë veprash të tjera penale.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në kuadër të kontrolleve me qëllim kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, të akuzuar apo të dënuar për vepra të ndryshme penale, si dhe si rezultat i koordinimit të veprimeve operacionale me Policinë e Vorës dhe atë të Durrësit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Tollonat”, kanë lokalizuar në Vorë, kapur dhe vënë në pranga shtetasin: G. P., 54 vjeç, banues në Mirditë.”- thuhet në njoftim.
Shtetasi G. P., dyshohet se gjatë periudhës kohore 2021- 2023, u ka marrë para që variojnë në vlerat nga 30.000 – 120.000 lekë të rinj, shtetasve të ndryshëm, duke i mashtruar se do t’i pajiste me tollona për blerje karburanti për furnizim mjeti me çmime të favorshme, si dhe për ofrimin e shërbimeve të tjera (karrotrec për lëvizjen e automjeteve etj.)
“Në vijim të verifikimeve në kuadër të operacionit “Tollonat”, rezultoi se 54-vjeçari është shtetas me precedent të mëparshëm kriminal për vepra penale kundër personit, në fushën e qarkullimit rrugor, në atë të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit si dhe po për veprën penale të mashtrimit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.”- thuhet në njoftimin e policisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




