Izraeli bombardon jugun e Gazës, Hamasi kërcënon pengjet, Netanjahu kërkon dorëzimin e militantëve

Hamasi ka kërcënuar se asnjë peng i vetëm nuk do të lejohet të largohet i gjallë nga Gaza nëse nuk plotësohen kërkesat e tij për shkëmbimin e të burgosurve, por kryeministri i Izraelit thotë se dhjetëra militantë palestinezë të Hamasit janë dorëzuar.
Ai e përshkroi situatën si “fillimin e fundit” për grupin militant. “Unë u them terroristëve të Hamasit se gjithçka ka mbaruar. Mos vdisni për shefin tuaj Jahja Sinuar, por dorëzohuni tani” tha Benjamin Netanjahu.
Rreth 138 persona mbahen ende nga Hamasi dhe grupet e tjera të armatosura në Gaza. Izraeli është zotuar vazhdimisht se do të bëjë gjithçka që mundet për të shpëtuar pengjet. 110 prej tyre u liruan gjatë armëpushimit njëjavor, që atëherë Izraeli ka rifilluar bombardimet e ashpra në enklavën palestineze.
Ndërkohë Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të mbajë një mbledhje urgjente të martën për të diskutuar situatën në Gaza. Takimi vjen pasi SHBA të premten vendosi veton ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për një armëpushim.
Rezoluta u mbështet nga gati të gjitha shtetet anëtare, vetëm Mbretëria e Bashkuar abstenoi. Agjencia franceze e lajmeve AFP tha se kishte parë një draft të tekstit dhe theksoi se ai bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm humanitar dhe lirimin e menjëhershëm e pa kushte të të gjithë pengjeve.
Izraeli ka publikuar emrat e 430 ushtarëve të vrarë nga 7 tetori, ndërsa njoftoi se mbi 100 ushtarë kanë humbur jetën nga fillimi i ofensivës tokësore në Gaza. Ministria e Shëndetësisë që kontrollohet nga Hamasi thotë se rreth 18 mijë palestinezë kanë humbur jetën nga bombardimet izraelite, të paktën 7 mijë prej tyre janë fëmijë.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




