Izraeli dhe aleatët rrëzojnë shumicën e dronëve dhe raketave të Iranit

Forcat izraelite dhe aleate rrëzuan “shumicën dërrmuese” të qindra dronëve dhe raketave të lëshuara nga Irani, gjatë një sulmi të paprecedentë kundër Izraelit.
Shpërthime të forta mund të dëgjoheshin mbi Izrael, në orët e para të 14 prillit. Autoritetet izraelite raportuan vetëm dëme të lehta në një instalim ushtarak izraelit dhe thanë se një vajzë shtatëvjeçare u plagos rëndë, pasi më shumë se 300 dronë dhe raketa rreth 99% e tyre u ndaluan përpara goditjes.
“Ne jemi gati për çdo skenar, si për mbrojtje, ashtu edhe për sulm. Shteti i Izraelit është i fortë”, tha kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.
Mediat amerikane dhe britanike raportuan se forcat e tyre të armatosura morën pjesë në rrëzimin e raketave mbi zonën kufitare Irak-Siri, derisa fluturonin në drejtim të Izraelit.
Izraeli dhe Irani kanë qenë armiq të ashpër prej dekadash, por ky është sulmi i parë i drejtpërdrejtë i njërit në tokën e tjetrit. Ai vjen pas një sulmi në konsullatën e Iranit në Siri, më 1 prill, kur u vranë shtatë oficerë ushtarakë, përfshirë një komandant të lartë.
Sulmi kundër Izraelit vjen, po ashtu, në kohën e tensioneve midis Iranit dhe Perëndimit, lidhur me luftën e vazhdueshme në Rripin e Gazës./BBC/
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




