Izraeli jep datën e nisjes së ofensivës ndaj Rafahut

Botë | 3 vite më parë

Anëtari i kabinetit të luftës së Izraelit Benny Gantz ka paralajmëruar se nëse Hamas nuk liron të gjitha pengjet që mban në Gaza deri në datën 10 mars, ushtria izraelite do të nisë ofensivë ndaj qytetit të Rafahut.

Kjo është hera e parë që Izraeli bën të ditur se kur trupat e tij mund të hyjnë në qytetin në jug të rripit të gazës ku janë strehuar rreth 1.5 milionë palestinezë. 

“Bota duhet ta dijë dhe udhëheqësit e Hamasit duhet ta dinë se nëse deri për ramazan, pengjet tona nuk janë në shtëpi, luftimet do të vijojnë gjithandej, përfshi edhe zonën e Rafahut”, u shpreh Gantz. Këtë vit, ramazani, muaji i shenjtë i agjërimit për myslimanët fillon në datën 10 mars.

Gantz, ish ministër mbrojtjeje, gjithashtu tha se Izraeli do të vepronte në një mënyrë të koordinuar, duke lehtësuar evakuimin e civilëve në dialog me parterët amerikanë dhe egjiptianë për të minimizuar viktimat mes civilëve.  

Por Egjipti dhe disa vende arabe vazhdimisht kanë paralajmëruar se një ofensivë izraelite rrezikonte të detyronte shumë palestinezë që të shkonin në Egjipt, çka e konsiderojnë të papranueshëm. Arabia Saudite ndërkohë është zotuar për pasoja të rënda nëse Rafah sulmohet.

Në rrafshin ndërkombëtar, ka pasur shumë paralajmërime drejtuar Izraelit që të mos ndërmarrë një ofensivë ndaj qytetit jugor, ku palestinezët po jetojnë në kushte ekstreme. SHBA, aleat kyç i Izraelit, është shprehur se një operacion ushtarak ndaj qytetit pa pasur planifikimin e duhur do të ishte një katastrofë. 

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme