Izraeli përfundon misionin në veri të Gazës, ushtria tha se shkatërroi infrastrukturën e Hamasit, vijon sulmet në jug

Ushtria izraelite thotë se ka përfunduar misionin për të shkatërruar infrastrukturën e Hamasit në Gazën veriore. Në javët e fundit, Izraeli ka zbutur ofensivën ushtarake në veri të enklavës dhe është përqendruar në pjesën jugore të saj, ku është strehuar shumica e 2.3 milionë banorëve të Gazës.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu insistoi sërish të dielën se lufta nuk do të përfundonte derisa të përmbushen objektivat për eliminimin e Hamasit, kthimin e pengjeve në shtëpi dhe sigurinë që Gaza nuk do të jetë më një kërcënim për vendin e tij. “Këtë ua them edhe armiqve. edhe miqve tanë.
Kjo është përgjegjësia jonë dhe ky është detyrim i të gjithëve ne”- tha ai gjatë takimit javor me kabinetin e qeveritar. Sulmet ajrore izraelite në qytetin jugor të Han Junis dhe në zonën Rafah afër kufirit me Egjiptin, kanë vrarë të dielën dhjetëra civilë, duke përfshirë edhe fëmijë. “Të paktën 113 palestinezë janë vrarë dhe 250 të tjerë janë plagosur gjatë 24 orëve të fundit.
Ndërsa 6 persona u vranë nga një sulm ajror izraelit në Jenin në Bregun Perëndimor të pushtuar”- tha ministria palestineze e shëndetësisë. Ndërsa u raportua se dy gazetarë u vranë në një sulm ajror izraelit në jug të Gazës.
Sipas përditësimit të të dhënave, nga nisja e bombardimeve hakmarrëse të Izraelit për sulmet e Hamasit më 7 tetor, në Gaza janë vrarë mbi 22 mijë e 800 palestinezë dhe mbi 58 mijë të tjerë janë plagosur.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




