Jupi: PD e konsideron dhunën ndaj grave dhe vajzave, si formën më të rëndë të shkelje së të drejtave të njeriut

Sekretarja Për Gruan e Partisë Demokratike, Taulanda Jupi deklaroi të hënën se, Shqipëria renditet në vendet e para në Evropë për vrasjen e vajzave dhe grave.
Nëpërmjet një deklaratë për mediet, postuar edhe në profilin e saj në Facebook, ajo u shpreh se, njësoj si disa vite më parë raporti i publikuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për krimin dhe drogën edhe raporti i publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në vitin 2023 e rendit Shqipërinë të dytën në Evropën Qendrore për nivelin e lartë të viktimave gra dhe vajza dhe dhunës ndaj tyre.
“159 gra dhe vajza janë vrarë në Shqipëri gjatë 11 viteve të fundit, 19 prej tyre humbën jetën si pasojë e dhunës vetëm gjatë vitit 2023. Edhe në këtë fillimvit për fat të keq një grua, nënë e katër fëmijëve, e gjendur nën presionin psikologjik të dhunës dhe denigrimit të saj, e gjendur pa mbrojtje, pa mbështetje, pa rrugëzgjidhje, zgjodhi t’i japë fund jetës së saj”, shkruan Jupi.
Sipas saj, Partia Demokratike, duke e konsideruar dhunën ndaj grave dhe vajzave si një nga format më të rënda të dhunës dhe si një shkelje të drejtave themelore të njeriut, shpreh gjithë mbështetjen dhe vullnetin për të ndërmarrë hapat e duhur dhe duke qëndruar pranë çdo gruaje e vajze që sot është viktimë e dhunës.
Jupi theksoi se duhet rishikuar buxheti me qëllim alokimin e fondeve të duhura për sigurimin e qendrave të pritjes të viktimave të dhunës si të vetmet zgjidhje që këpusin zinxhirin e dhunës dhe shpëtojnë jetë.
“I duhet dhënë fund heshtjes dhe indiferentizmit dhe marrjen shembull nga Kosova që ka ndarë subvencione për të ardhurat e çdo gruaje apo vajze e identifikuar si viktimë e dhunës në familje për një periudhë 6-12 muaj muaj”, deklaroi Jupi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




