Kapshticë, trafikonin narkotikë nga Shqipëria drejt Greqisë, policia shqiptare prangos 3 korçarë në flagrancë

Policia bëri të ditur se ka finalizuar një operacion antidroge në Kapshticë, duke prangosur pak metra pa hyrë të tokën greke edhe 3 shtetas.
Operacioni është finalizuar pas një hetimi 1-vjeçar, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë nën drejtimin e Prokurorisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare.
Gjatë arrestimit policia ka sekuestruar edhe 51 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis, 1 armë zjarri pistoletë, 6 celularë dhe 5 automjete.
“Arrestohet në flagrancë poseduesi i lëndës narkotike, që dyshohet se do trafikonte këtë sasi me automjetin e tij, në drejtim të Greqisë. Vihen në pranga edhe dy bashkëpunëtorë të tjerë të dyshuar të tij.”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit: -J. S., 42 vjeç; E. M., 28 vjeç dhe S. S., 24 vjeç, banues në Korçë.
Shërbimet e Policisë informojnë se, në bazë të informacioneve të siguruara gjatë fazave hetimore të këtij operacioni, ku shtetasi J. S., dyshohej se do të trafikonte lëndë narkotike në drejtim të Greqisë, organizuan punën dhe në dalje të Republikës së Shqipërisë, bënë ndalimin e automjetit tip “Audi Q7”, që ky shtetas drejtonte.
“Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, përfshirë edhe procesin e skanimit të kryer nga autoritetet doganore, në pjesën e shasisë të automjetit, në një vend të përshtatur u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 51 kilogramë me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, e ndarë në pako. Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në një fabrikë riciklimi për vajrat e automjeteve, në pronësi të shtetasit J. S., u gjet 1 armë zjarri pistoletë tip “Zastava”. Së bashku me sasinë e lëndës narkotike dhe armën e zjarrit, u sekuestruan 6 celularë dhe 5 automjete.”, thuhet në njoftim.
Nga hetimet e kryera dyshohet se bashkëpunëtorë të 42-vjeçarit, në këtë veprimtari kriminale ishin edhe dy shtetasit e tjerë E. M., dhe S. S.
“Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtij rasti dhe për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.”, mbyllet njoftimi për shtyp i policisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




