“Katar 2022”, historik për Azinë

Uncategorized | 4 vite më parë

Fitorja e Australisë ndaj Perusë në “play-off”-in ndërkontinental këtë javë garantoi pjesëmarrjen e 6 përfaqësueseve nga Konfederata Aziatike në Botërorin e këtij fundviti, duke i dhënë kontinentit një mundësi për të përsëritur suksesin e vitit 2002, kur organizoi për herë të parë këtë ngjarje. Koreja e Jugut arriti në gjysmëfinale dhe Japonia u eliminua në turin e 16-shes kur organizuan së bashku turneun në vitin 2002, por Azia ka pasur përfaqësim të dobët në çdo edicion të Botërorin që nga atëherë. Në Botërorin e parë në Lindjen e Mesme, Evropa do të jetë i vetmi kontinent me më shumë skuadra të përfaqësuara, plot me 13. Katari si organizator i Botërorit që nis më 21 nëntor dhe përfundon më 18 dhjetor të këtij viti, i është shtuar 4 vendeve të zakonshme që kualifikohen automatikisht nga Azia, që pas mbylljes së fazës eliminatore u morën nga Arabia Saudite, Japonia, Irani dhe Koreja e Jugut.

“Kjo është me të vërtetë koha e Azisë dhe nuk ka mënyrë më të mirë për ta festuar këtë sesa me kualifikimin e 6 skuadrave që është numër rekord në Botëror për herë të parë në historinë tonë”, – tha presidenti i Konfederatës së Futbollit të Azisë, Sheikh Salman bin Ibrahim Al Khalifa. Ai shpreson se viti 2022 do të tregojë një përmirësim të dukshëm të paraqitjes së ekipeve të Azisë në Botërorin e mbajtur para 4 vjetëve në Rusi. Me pak më shumë se pesë muaj për fillimin e Botërorit “Katari 2022”, sinjalet janë kontradiktore. Japonia po përvijohet si shpresa më e mirë dhe më e madhe e Azisë.

Një humbje e ngushtë 1:0 në shtëpi ndaj Brazilit më 6 qershor u shoqërua nga fitoret 4-1 ndaj Paraguajit dhe Ganës. Por, të martën, futbollistët e trajnerit Haxhime Morijasu u mundën 0-3 në shtëpi nga Tunizia. Japonia e nis dhe e përfundon Grupin E përkatësisht kundër Gjermanisë dhe Spanjës me ndeshjen që e luan në mes ndaj Kosta Rikës, që mposhti Zelandën e Re të martën për të siguruar vendin e fundit për pjesëmarrje në Katar. Arabia Saudite u rendit mbi Japoninë dhe Australinë në eliminatore, por u mund në fillim të këtij muaji nga Kolumbia dhe Venezuela, dy skuadra që nuk u kualifikuan nga Amerika e Jugut. Kjo e bën ndeshjen hapëse të Arabisë Saudite në Grupin C kundër Argjentinës të duket tejet e vështirë. Sidoqoftë, sauditët planifikojnë të kenë edhe gjashtë apo shtatë miqësore të tjera. Irani duhet të përballet me Anglinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Uellsin në Grupin B, por ndeshja e vetme e ekipit që nga sigurimi i kualifikimit ishte ndaj Algjerisë në Doha të hënën dhe përfundoi me një humbje 1-2.

Përfaqësuesja e Katarit, që nuk është paraqitur kurrë më parë në Botëror, nuk ka pasur fare ndeshje ndërkombëtare gjatë këtij muaji. Kurse Australianët kanë patur luhatje në formë. Pasi fituan 11 ndeshje eliminatore radhazi në fazën e dytë dhe në fillimin e fazës së 3-të të zonës aziatike, Australia mori vetëm një fitore në 7 ndeshjet e tjera, duke e mbyllur e 3-ta në grupin e saj. Ata mundën Emiratet e Bashkuara Arabe 2-1 në “play-off”-in aziatik javën e kaluar. 6 ditë më vonë në të njëjtin stadium në Katar, Australia u kualifikua të hënën për në Botëror për të 5-tën herë radhazi pasi mposhti Perunë, ekipin e vendit të 5-të në Amerikën e Jugut, pas goditjes së 11-metërshve. Shpërblimi është një vend në Grupin D dhe ndeshjet kundër kampionit në fuqi të botës, Francës, pastaj Tunizisë dhe Danimarkës.

Koreja e Jugut, që do të paraqitet në Botëror për herën e 10-të radhazi, e filloi përgatitjen e saj me një humbje 1-5 ndaj Brazilit në Seul më 2 qershor. Rezultatet u përmirësuan pasi fitoi ndaj Kilit 2-0, barazoi 2-2 me Paraguakin dhe më pas u mundën nga Egjipti 1-4. Koreja e Jugut, që e mposhti Poloninë, Portugalinë, Italinë dhe Spanjën në një ecuri të jashtëzakonshme deri në gjysmëfinale të Botërorit 2002, do të luajnë në Grupin H kundër Uruguait, Portugalisë dhe Ganës në Katar.

Here are the final 32 teams for the 2022 World Cup in Qatar!

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme