Kategoria e Parë: Egnatia, fitore për Superiore

Futboll Vendi | 6 vite më parë

Egnatia merr një tjetër trepikësh të rëndësishëm në ecurinë e saj drejt Kategorisë Superiore, ndërsa në stadiumin e Peqinit, në ndeshjen e ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, mundi Besën, 3-1. Një ndeshje, të cilën kavajasit e kanë kontestuar shumë, jo vetëm për dy njëmbëdhjetëmetërsha të padhënë, por dhe për golin e tretë të rrogozhinasve, që për ta ishte në pozicion jashtë loje.

Në fakt ndeshja ka nisur e qetë dhe të parët që ngacmojnë janë rrogozhinasit, të cilët mund të kishin shënuar që në të 9’. Shtubina e ka nxjerrë në pozicion të volitshëm shënimi Artur Maganin, por finalizimi i tij lë për të dëshiruar. Dhe pas dy minutash Egnatia fiton penallti, që ka ardhur nga pengimi i Allmuçës brenda zonës së rreptësisë kavajase nga Perja veprim të cilin Hamitaj nuk e ka falur.

E nga pika e bardhë shënon Shtubina, por gëzimi i djemve të Gugash Maganit zgjat vetëm katër minuta, sepse në të 18’ ndërrohet skena dhe Besa fiton penallti pas topit të prekur me dorë nga njëri prej lojtarëve të Egnatias. Dhe golin e barazimit e gjen Da Silva dhe 1-1.

Mirëpo dy minuta më pas Besa ka pretenduar për penallti pas pengimit të Tafilit në zonën e rreptësisë rrogozhinase, por që për Hamitajn gjithçka ishte e rregullt. Egnatia mund ta mbyllte pjesën e parë në avantazh nëse Shtubina do të kishte pasur shënjestrën e duhur në të 42’, teksa goli iu mohua nga grushtimi i Kukës.

Pjesa e dytë është e qetë deri në të 72’, atje ku gjithçka e ka “prishur” eurogoli i Silva Eler, që nga rreth 30 metra e dërgon topin në trekëndëshin e djathtë të portës së Besës. Mundohen kavajasit në të 83’ me Tafilin dhe në minutën e parë shtesë me Kajna Da Silva, por Hasanbelli ka vëmendjen e duhur për të larguar rrezikun.

Dhe goli i tretë i Egnatias me firmën e Artur Maganit vulos fitoren e rrogozhinasve, ndërsa tek kavajasit lë një shije të hidhur për atë që vendosën gjyqtarët. Në vërshëllimën e fundit të ndërkombëtarit lezhjan, Egnatia del fitues e derbit të rrethit ndaj Besës së Kavajës.

Në ndeshjet e tjera Burreli ka fituar 1-0  ndaj Erzenit, kurse Partizani B ka barazuar0-0  me Orikun. Lushnja ka fituar 1-0 ndaj Flamurtarit, kurse java do të mbyllet me ndeshjet Besëlidhja – Dinamo, e cila do të vijë drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, Vora – Veleçiku dhe Elbasani – Turbina.

KATEGORIA E PARË

REZULTATET:

Grupi A

BURRELI-ERZENI 1-0

Golat: Danaj 88′

PARTIZANI B-ORIKU  0-0

Grupi B

LUSHNJA-FLAMURTARI 1-0

Golat: Haxhiu 62′

EGNATIA-BESA  3-1

Golat: Shtubina 14′ (pen.), Silva 72′, Magani 93’/ Kaina 18′ (pen.)


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme