Këlliçi nga Zall Bastari: Rishikim për ulje të tarifës së ujit

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi vijoi turin e takimeve me banorë të zonave rurale ku prezantoi programin e tij dhe kërkoi votën e banorëve.
Gjatë takimit me banorët e fshatit Zall Bastar, Belind Këlliçi premtoi se do të rishikojë tarifat e ujit të pijshëm, të cilat u rritën me 44% nga Erion Veliaj. Këlliçi tha se rishikimi do të bëhet për të ulur tarifat e ujit për qytetarët.
“Ajo që ju premtoj është se do rishikoj tarifën. Çmimi i ujit është rritur me 44%. Ky ka bërë 126 tendera të UKT-ja, këta që ndërtojnë hotele nga 15 milionë euro, që kanë drejtuar UKT-n, që në vend që t`i shërbenin qytetit, marrin paret vetë dhe bëjnë hotel, kanë bërë 126 tendera, të cilat pjesa dërrmuese janë vjedhur, janë abuzuar. Dhe unë të japë fjalën që do rishikojë tarifën për ta ulur, po për t`jua bërë falas nuk të gënjejë dot. Autobusin falas siç kam thënë e bëjë, çfarë bëj e premtoj, çfarë nuk e bëj dot nuk e premtoj dot”-tha Këlliçi.
Fshatrat e Tiranës, janë sot ndër zonat që vuajnë koston më të madhe për shpenzime transporti, për shkak të çmimit të shtrenjtë të biletës. Belind Këlliçi tha se pas 14 majit, të gjithë fshatrat e Tiranës, do ta kenë falas autobusin për të ardhur në kryeqytet.
“E kam programin me këmbë në tokë të prekshëm, duke filluar nga autobusi pa pagesë. 120 lekë e keni pagesën ju? Mbas 14 majit do ta keni zero. Zero, një minutë se po them për ju, në Shëngjergj është 2000, Vilza është 2000, shkalla është 1500. Prandaj janë tmerruar këta se kam premtuar unë autobusin papagesë. Do t`i njoftosh që të gjithë në Mal Vilzë, pa lekë pas 14 majit. Pa lekë do të jetë autobusi. Për t`i ndihmuar ata banorë, për t`i ndihmuar këta qytetarë të Tiranës kudo ku janë. Këtu në Zall Bastar, në Zall Herr, në Dajt, në Vaqarr, në Pezë, në Ndroq, në Baldushk, Vishnje, Petrelë, Krrabë, Shëngjergj, Kashar, Yrshek, Mzez, Fushë Mzez, kudo do të jetë pa pagesë”-u shpreh Këlliçi.
Për Zall Bastarin, Belind Këlliçi premtoi edhe investime në infrastrukturë.
“Premtimi tjetër që kam specifik për Zall Bastarin, ajo rruga që na sjell deri këtu në fillimin, që sot nuk na e la me e fut autobusin, do të zgjerohet, do të investohet dhe do të bëhet rrugë e denj për Zall Bastarin, këtë fshat të mrekullueshëm, që pas 14 majit ju të ikni e të vini me autobus pa pagesë nga Zall Bastari”-u shpreh ai.
Një tjetër angazhim është ai për 7 milionë euro për subvencione për fermerët si dhe për ngritjen e 15 tregjeve për shitjen e prodhimeve bujqësore të fermerëve të Tiranës.
“Fermerët do të marrin 7 milionë euro në vit subvencione, padiskutim do të kemi 3 milionë euro në vit ndihmë për kreditë për huamarrje, që duhet ndihmë për ata që duan të marrin hua dhe që nuk ia dalin dot. Do të kemi për bizneset e reja, për fermerët që duan të hapin një biznes të ri për bazë materiale, që nuk I kanë mundësitë, që nuk i kanë lekët, do t`i japim 10 mijë euro të gjithëve. Do të hapim 15 tregje të gjelbërta. Çfarë domethënë kjo? Në çdo njësi të Tiranës ne do të bëjmë nga një treg me produkte të fshtatit, me produkte bio “Made in Tirana”, të prodhura në Tiranë”-tha Këlliçi.
Riparimet e banesave dhe avllive në zonat rurale dhe jo vetëm, nuk do të kenë më pas policinë bashkiake për t`i gjobitur.
“Që për të gjithë ata që kanë nevojë, që të riparojnë shtëpiat e tyre, që të bëjnë punime të brendshme në shpiat e tyre, kjo pas 14 majit do të jetë një formalitet. Të guxojë një policë bashkiak, një i vetëm, të vij t`ju bezdis, t`ju gjobisë padrejtësisht t`ju kërkojë para, korrupsion, jam unë më i poshtëri në botë nëse nuk e shkarkoj brenda 24 sekondash. Jo më ta lë aty, t`ju marri paret juve dhe të mi bi mua në zyrë. 24 sekonda nuk do të jetë në punë dhe do e çojë në kokërr të burgut”-tha Belind Këlliçi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




