Këlliçi pohon: Jam takuar me Tabakun, por nuk kam mandat negocimi. A do të kandidojë për kreun e PD?

Politikë | 3 vite më parë

Pas zgjedhjeve, Belind Këlliçi ka thyer akujt dhe është takuar me nënkryetaren e PD zyrtare, Jorida Tabaku, e cila përpara zgjedhjeve, mbrojti idenë se në Tiranë opozita duhet të kishte vetëm një kandidat.

“E kam takuar zonjën Tabaku. Kemi biseduar për çështje personale, por edhe për fushatën, për rezultatin. Jemi të gjithë të mërzitur, të zhgënjyer nga kjo që ka ndodhur, por preferoj të mbetet çështje e atij takimi.“- tha zoti Këlliçi për emisionin “Pa Censurë“, në RTSH.

Dhe, megjithë vullnetin e tij për të shtensionuar situatën dhe për të biseduar me palën tjetër në PD, duket se ky është vetëm një vullnet personal, i pamandatuar nga forumet. 

“Nuk ka negociatë. Zero. Jam ulur për të pirë në kafe dhe për të folur për situatën.”- iu përgjigj Këlliçi interesimit të gazetares, Elona Meço, e cila këmbënguli, se ai e kishte ngritur këtë çështje në forume.

“Nuk kam mandat për të negociaur. Nuk është trajtuar si çështje negociimi, por është ngritur si çështje që duhet të gjejmë një rrugë të përbashkët, duhet të gjejmë një zgjidhje përsa kohë biem dakord që kundërshtar kemi Edi Ramën.”- tha Belind Këlliçi, i cili u pyet gjithashtu, nëse ka ambicien për të kandiduar më vonë për të marrë drejtimin e PD. 

“Nuk kam ambicie të tillë, nuk i shërbej kësaj ambicieje. Ambicia ime e vetme është fitorja e zgjedhjeve, mundësisht para vitit 2025 për të rrëzuar Edi Ramën. Kjo është ambicia ime më e madhe.”-u shpreh Belind Këlliçi për emisionin “Pa Censurë”, duke mos ndryshuar shumë nga Erion Veliaj, kur u pyet gjatë fushatës nga gazetarja Elona Meço, nëse kishte ambicie për të marrë drejtimin e PS pas përfundimit të mandatit të tretë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme