Këlliçi prezanton projektin: Nënkalim te sheshi ‘Skënderbej’, lehtëson trafikun

Belind Këlliçi kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Tiranës, prezantoi projektin për ndërtimin e nënkalimit te “Sheshi Skënderbej”.
Këlliçi tha se ky projekt do i jap zgjidhje për trafikun dhe lehtëson qarkullimin e mjeteve.

“Jemi mbledhur në këtë Shesh për të prezantuar zgjidhjen tonë për problemin e trafikut në Tiranë: ndërtimin e një tuneli nëntokësor për makinat, që do te mundësojë rrjedhjen pa pengesë të trafikut nën Sheshin Skënderbej, duke lehtësuar kështu shumë trafikun në qendër të Tiranës. Ne ofrojmë sot një zgjidhje të thjeshtë por shumë të rëndësishme për trafikun në Tiranë, veçanërisht në qendër të saj, sepse ai është kthyer prej vitesh në një makth për qytetarët e Tiranës.
Së pari, familjet e Tiranës shpenzojnë dy herë më tepër karburant për makinat e tyre, si pasojë e një trafiku që nuk ndalon kurrë. Sipas përllogaritjeve tona, fatura financiare për familjet që përdorin makinat, pikërisht për hir të trafikut, është më e madhe se 100 mijë lekë të vjetra në muaj (ose 100 euro në muaj)
Së dyti, edhe më e rëndësishme, ka të bëjë me shëndetin e banorëve. Ndotja në qendër të Tiranës si pasojë e trafikut është rreth 5 herë më e lartë. Ndërkohë në të gjithë Tiranën është shumëfishuar numri i të sëmurëve të aparatit respirator, veçanërisht është rritur numri i fëmijëve astmatikë pikërisht prej kësaj ndotjeje.
Gjithashtu, dua të ritheksoj edhe një herë që angazhimi im për të reduktuar përgjysmë kohën në trafik për qytetarët dhe për të kthyer brenda cilësinë e ajrit brenda normave të BE-së, është jo vetëm i mundshëm por i domosdoshëm”, tha Këlliçi.

Ai shpjegoi se do ndërtojë një tunel rreth 200 m me 4 korsi, 2 në vajtje 2 në kthim që do të lidhin bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me bulevardin “Zogu i Parë” për të shfryrë rreth 60% të trafikut në këtë zonë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




