Këlliçi takim me banorët: Autobusat falas pas 14 majit, me mua si kryetar bashkie do ju ulen kostot e jetesës

Politikë | 4 vite më parë

Kandidati i “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi gjatë një takimi me banorët e fshatrave të kryeqytetit ka prezantuar angazhimin e tij për transport publik falas, i cili pas 14 majit do të përfitohet edhe nga banorët e ish-komunave.

“E ka çmendur premtimi që unë kam dhënë për autobusin falas. Dhe po, nga këtu po e them sërisht, autobusi pas 14 majit do të jetë falas, në qytet dhe në fshat. Dhe kjo është e padiskutueshme sepse janë 200 mijë qytetarë në ditë që e përdorin këtë shërbim. Janë 200 mijë qytetarë në ditë që kanë nevojë për ta marrë autobusin. Diku paguajnë 400 lekë, diku paguajnë 800 lekë, diku paguajnë 1500 lekë por ka dhe nga ata që e kanë 2000 lekë rrugën si banorët e Shëngjergjit”, u shpreh Këlliçi.

Teksa paraqiti planin për mbështetjen e fermerëve në Vishnje, Vaqarr, Pinet, Pezë, Ndroq, Zallher, Kasallë, Dritas, Këlliçi deklaroi se transporti publik falas, do t’u kursejë çdo muaj para familjeve në Tiranë.

Duke u bërë thirrje të mos e shesin votën, Belind Këlliçi u tha qytetarëve se me të si kryetar bashkie, do t’u ulen kostot e jetesës.

Po ashtu, ai theksoi se vetëm nga transporti publik falas, qytetarët e Tiranës do të kursejnë 52 mijë lekë çdo muaj.

“Imagjino t’ja heqësh këtë barrë ekonomike 200 mijë vetëve në ditë. Do të kenë minimalisht 52 mijë lekë më shumë në muaj. Unë e gjej këtu rastin t’i bëj një apel të gjithë qytetarëve që na ndjekin. Refuzoni lekët që ju vijnë, për të shitur votën, sepse kur vjen puna te kutia e votimit jeni Ju dhe Zoti. Mendoni për të ardhmen e fëmijëve tuaj, për të ardhmen e familjes tuaj, mendoni për veten tuaj. Me politikat që unë po ju them, unë nuk kam dalë as të blej vota, as të manipuloj qytetarët dhe as ti intimidoj. Unë kam dal që me program politik, ti lehtësoj qytetarët. Pra me një politikë të tillë, 309 mijë familjeve i lë çdo muaj 52 mijë lekë në xhep”, tha Këlliçi.

Në takimet me banorët e zonave rurale, Belind Këlliçi u angazhua që pas 14 majit, ata do të kenë lehtësira për riparime dhe restaurime banesash, pa procedura burokratike.

Belind Këlliçi përsëriti për banorët e zonave rurale edhe programin e tij ambicioz, që për herë të parë bashkia të subvencionojë fermerët. Këlliçi tha se do të ketë 7 milionë euro në vit subvencione për fermerët, duke theksuar gjithashtu edhe ngritjen e 15 tregjeve agro ushqimor ku fermerët do të kenë mundësi të shesin prodhimet e tyre.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme