Kërkesa e PD për heqjen e mandatit të Xhaçkës, Këshilli i Imunitetit shtyn diskutimet, PS: Nuk patëm kohë ta shqyrtonim

Këshilli i Imunitetit dhe Mandateve vendosi në mbledhjen e sotme shtyrjen e diskutimeve për kërkesën e PD për heqjen e mandatit të deputetes dhe Ministres së Jashtme pas akuzave se bashkëshorti i Olta Xhaçkës ka përfituar si investitor strategjik tokë në Dhërmi. Këshilli i Mandateve vendosi që shqyrtimi i kërkesës së demokratëve të shtyhet për në mbledhjen e radhës pasi sipas deputetëve të mazhorancës koha për shqyrtimin e saj ka qenë e pamjaftueshme.
1/10 e deputetëve të Kuvendit ka kërkuar pavlefshmërinë e mandatit të Olta Xhaçkës, por deputetët e mazhorancës kanë kërkuar shtyrjen e diskutimeve në mbledhjen e radhës së Këshillit pasi sipas tyre nuk kanë patur kohë për ta shqyrtuar.
“Kërkesa është e nënshkruar nga 14 deputetë. Përveç depozitimit të mocionit, janë të bashkëlidhur dhe faktet dhe provat përkatëse, vendimet e Komisionit të Investimeve strategjike, dhënien e statusit të investitorit strategjik të shoqërisë që ka lidhje me znj. Xhaçka. Ekstraktet nga institucionet që përcaktojnë kush është administratori i shoqërive përkatëse. Kërkesa i ka të gjithë elementët. Janë përcaktuar qartësisht dispozitat ligjore, shkelja e tyre, analiza e fakteve dhe pjesa e provave. Sa i përket shtjellimit të përmbajtjes, do ta bëjë z. Korreshi. Kemi paraqitur një kërkesë sipas rregullave, me prova dhe fakte. Jemi të përgatitur sot për ta shqyrtuar. Ky është seriozitet. Jo seriozitet është kërkesa juaj, ta shtyjmë, sepse s’keni pasur kohë ta lexoni. Kjo tregon qasjen tuaj. T’ia heqim syve të publikut, të mos e respektojmë rregulloren. I fundit organ që e ndan shapin nga sheqeri është GJK. Por ky këshill sot dhe më pas seanca plenare nuk duhet të lërë asnjë cen deri sa të shkojmë te seanca plenare. Kush e vendos ndërprerjen që kërkoni ju z.Balla? Ju jeni 5 ne 5. Do ecim sot me paraqitjen e kërkesës dhe në mbledhjen e radhës ta diskutojmë”, tha Alibeaj.
Ndërsa deputetja Ermonela Felaj tha se mazhoranca kërkon kohë për shqyrtimin e kërkesës pasi dokumenti iu është vënë në dispozicion vetëm para pak orësh.
“Ne bëmë një kërkesë objektive dhe serioze sepse ky dokument ka marrë një kohë të caktuar dhe nuk duam thjesht ti hedhim një sy, port ë mos bëjmë orën e këndimit. Disa kolegë kanë qenë të angazhuar në veprimtari parlamentare jashtë vendit, dhe ky dokument na është vënë në dispozicion vetëm sot dhe kërkojmë një kohë për ta shqyrtuar”, tha Felaj.
Kryetarja e Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve Lindita Nikolla vendosi që në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të vijohet me diskutimin për kërkesën e PD për heqjen e mandatit të Xhaçkës.
“Ta mbyllim këtu mbledhjen dhe tu japim kolegëve kohën e nevojshme për të shqyrtuar gjithë dokumentacionin”, tha Nikolla.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




