Kërkesa e SPAK për Ahmetajn, mblidhet sërish sot Këshilli i Mandateve

Mblidhet sërish këtë të mërkurë (12 korrik) Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për të vendosur nëse do t’i hapet rrugë arrestimit të ish-ministrit Arben Ahmetaj, pas kërkesës së SPAK.
Mbledhja është përcaktuar të mbahet ditën e sotme në orën 16:00, pas kërkesës së avokatëve të deputetit socialist Arben Ahmetaj.
Një ditë më parë, mbledhja e Këshillit të Mandateve nisi në orën 16:00, por u ndërpre për disa minuta pasi opozita kërkoi që të mbahej me dyer të hapura, ndërsa vetë SPAK kërkoi që të mbahej me dyer të mbyllura për shkak të sekretit hetimor.
Gjatë mbledhjes, opozita hodhi dyshime mbi vendndodhjen e Ahmetajt, teksa më pas ishin vetë avokatë e tij që konfirmuan se ai ndodhej jashtë territorit të Shqipërisë, por duke mohuar se qëllimi i largimit të Ahmetajt ishte arratisja. Megjithatë ata nuk bënë me dije vendin se ku është larguar ish-zëvendëskryeministri.
Deri më tani ndaj ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj janë ngritur tre akuza penale, korrupsion pasiv, pastrim parash dhe deklarim i rremë dhe fshehje pasurie.
Hetimi për ish zëvendës kryeministrin Arben Ahmetaj ka përfshirë edhe bisedat telefonike të tij të para 11 viteve. Nga këqyrja e tyre rezultoi se nga data 21 korrik 2012 deri në 10 tetor 2012, pra në gati tre muaj, të ketë patur 138 komunikime telefonike dhe 3287 mesazhe mes Ahmetaj dhe Mirel Mërtirit. Më pas SPAK thotë se janë faktuar edhe lidhjet mes Ahmetajt dhe Klodian Zotos, biznesmenit të inceneratorëve.
Sipas hetimeve rezulton që ai të ketë përfituar rreth 500 mijë euro përfitime të nisura që nga viti 2016 deri më 2020. Madje SPAK ka arritur të zbulojë edhe shkëmbime e-mailesh kur Zoto informohej mbi procedurat për inceneratorët. Në një nga këto e-maile del edhe emri i Alda Klosit, ish-sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Financave.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




